Edhe nëse më ndalojnë gjykatësit kushtetues, do të garoj në zgjedhje për kryeministër, thotë presidenti kroat Millanoviq

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq thotë se nuk do të dorëzojë dorëheqje përpara zgjedhjeve parlamentare të 17 prillit dhe në të cilat do të jetë kandidat për kryeministër, pa e marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Kroacisë paralajmëroi se së shpejti do të miratojë vendim nëse Millanoviq guxon të jetë kandidat në listën e partisë së tij, thonë partia opozitare SDP, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Nëse gjykatësit kushtetues të HDZ-së më ndalojnë të jem në listë, ne gjithsesi do të fitojmë. Do të jem kandidat për kryeministër, nuk është me rëndësi nëse jam në listë”, thotë Millanoviq në publikim në rrjetet sociale.

Millanoviq të premten i caktoi zgjedhjet për më 17 prill dhe paralajmëroi se do të jetë kandidat për kryeministër, diçka që ka shkaktuar mëdyshje në Kroaci rreth kushtetutshmërisë së një hapi të këtillë.

Millanoviq u bë president në vitin 2020 si kandidat i SDP-së, ndërkaq mandati i tij presidencial mbaron në shkurt të vitit të ardhshëm. Ai ishte kryeministër nga viti 2011 deri në vitin 2016-.

Presidenti kroat thotë se nuk do të japë dorëheqje si president, pasi që nuk dëshiron që tërë pushtetin ta lë në duart e partisë pushtetarë HDZ dhe kryeministrit Andrej Plenkoviq.