Edhe Gjykata i refuzon Berishës lejen për të shkuar në Kuvend

Në Shqipëri, Gjykata e posaçme i dha sot të drejtë Prokurorisë, duke rrëzuar kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha, që t’i lejohej pjesmarrja në seancat parlamentare, raporton VOA. Që prej 30 dhjetorit zoti Berisha ndodhet në arrest shtëpie, pasi më parë kishte refuzuar t’i bindjen urdhërt të Gjykatës për “detyrim paraqitje” pranë një oficeri të policisë gjyqësore, me pretendimin se masa e sigurisë ndaj tij ishte dhënë në shkelje të kushtetutës së vendit.

Avokatët e zotit Berisha akuzuan sot Gjykatën se mori një vendim në shkelje të ligjit, duke mos marrë në konsideratë as praktikat e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut. Sipas avokatit Genc Gjokutaj, gjykata po vepron sipas urdhërave politikë të kryeministrit Edi Rama. “Pa ndryshuar porosia e Ramës, nuk ndryshon vendimi i kësaj gjykate”, deklaroi zoti Gjokutaj, në përfundim të seancës, duke paralajmëruar ankimim në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Pak javë më parë, kërkesa e ish kryeministrit ishte hedhur poshtë nga prokurorët e çështjes, të cilët kishin shpjeguar se sipas Kodit të Procedurës penale “në kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi, vlejnë rregullat e paraburgimit”, e për pasojë “e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë dhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për Kuvendin, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.

Prokurorët kishin mbështetur po ashtu idenë, se në asnjë dispozitë ligjore nuk është parashikuar mundësia e dhënies së një leje të tillë e sipas tyre edhe në kërkesën e avokatit të zotit Berisha “nuk evidentohet asnjë dispozitë mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje”.

Zoti Berisha është në hetim për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Ai dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, lulëzoi një kompleks pallatesh.

Ndonëse në arrest shtëpie, çdo mbrëmje zoti Berisha, shfaqet në dritaret e apartamentit të tij, duke ju drejtuar grupeve të mbështetësve që grumbullohen pranë banesës, në një nga zonat qendrore të Tiranës.