Janë arrestuar dy persona për vrasjen afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup, kërkohet edhe një i dyshuar
Dy persona janë arrestuar për vrasjen në afërsi të Qendrës Tregtar Mavrovasja në Shkup, njoftoi MPB-ja. I dyshuar është edhe një person i tretë, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Nga Ministria thanë se në periudhën në vijim do të ketë prani të shtuar policore në disa pjesë të qytetit me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, transmeton Portalb.mk.
“SPB Shkup sot ka raportuar për veprën penale vrasje në parkingun përballë qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup, me ç’rast një person është qëlluar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë në vend. Policia ka marrë menjëherë masat operativo-taktike, duke mbyllur një pjesë të zonës së qytetit, duke kontrolluar disa banesa dhe disa automjete, ku përfshiheshin forca speciale të policisë, helikopterë dhe dronë. Në zonën e komunës së Çairit, është vërejtur një veturë e udhëtarëve, e cila ka tentuar të largohet, ndërsa personat nga automjeti kanë bërë rezistencë me përdorimin e armëve të zjarrit. Punonjësit e policisë janë kundërpërgjigjur, pas së cilës një person është privuar nga liria. Gjatë masave të mëtejshme është privuar nga liria edhe një person, ndërsa policia e di edhe identitetin e të dyshuarit të tretë i cili ndodhet në arrati dhe për të cilin po merren masa për gjetjen e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton gjithashtu qytetarët se në periudhën në vijim do të ketë prani të shtuar policore në disa pjesë të qytetit të Shkupit për zbardhjen e plotë të rastit.
Trup i pajetë, u gjet mëngjesin e sotëm në parkingun pranë qendrës tregtare “Mavrovasja” në qendër të Shkupit. Nga pamjet e publikuara nga 360 Gradë, trupi ishte i mbuluar me një mbulesë të veçantë.
Sipas informacioneve jozyrtare, viktima është Vasil E. Ai thuhet se ishte me anëtarët e familjes për të kryer punët private aty pranë. Dëshmitarët okularë thonë se sulmuesit qëlluan viktimën, morën sende nga makina e tij, duke përfshirë një laptop-kompjuter dhe më pas u larguan me vrap. Si motiv po përmendet një formë zhvatjeje, megjithëse hetimet janë ende në një fazë shumë të hershme.
Ndryshe nga sa raportohet në media se i vrari është avokat, informacionet e “360 gradë” thonë se Vasil E. është një person me një kompani private me një aktivitet krejt tjetër.