Dy shtetas të RMV-së ndodhen në Marok, nesër do të udhëtojnë drejt Madridit

Në Përfaqësinë tonë diplomatiko-konsullore në Kajro, deri më tani janë paraqitur vetëm dy shtetas tanë, të cilët janë evakuuar dhe aktualisht ndodhen në një kamp në Marrakesh, në gjendje të mirë dhe nesër në mbrëmje do të udhëtojnë drejt Madridit. Kështu njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, e cila shprehu ngushëllime për viktimat nga tërmeti katastrofik që goditi Marokun, me epiqendër në provincën Al Hauz, në jugperëndim të Marrakeshit, në Marok, transmeton Portalb.mk.

“Informojmë se Përfaqësia jonë diplomatiko-konsullore në Kajro është në komunikim me institucionet kompetente në Marok, për qytetarët që mund të jenë në rajonet e prekura dhe nevojën për evakuim. Ftojmë të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që aktualisht ndodhen në Marok dhe kanë nevojë për ndihmë konsullore, të telefonojnë në numrin kujdestar të Ambasadës në Kajro +20 103 361 5542 dhe në numrin SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme 075/273-732”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Në tërmetin katastrofik që goditi mbrëmë Marokun, sipas të dhënave të fundit, të paktën 820 persona kanë humbur jetën dhe 672 janë lënduar.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Marokut, vdekjet nga tërmeti me 7 ballë janë në disa rajone, duke përfshirë provincat Al Houze dhe Marrakesh, si dhe qytetet Ouarzazate, Azilal, Chichaua dhe Taroudant.

Tërmeti 6.8 ballësh goditi 72 kilometra në jugperëndim të vendin turistik, Marrakesh, më 8 shtator në orën 23:11, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara. Lëkundje të fuqishme u ndien edhe në qytetet bregdetare Rabat, Kasablanka dhe Esaourij.