Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok arriti në mbi 1.000 persona (Video)

Mbi 1000 viktima dhe qindra të plagosur është numri i fundit nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun mbrëmë, raporton BBC. Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të të mbijetuarve nën rrënoja, transmeton Portalb.mk..

Shifrat janë vazhdimisht në rritje, ndërsa mediat botërore kanë publikuar edhe video të rrënojave në të cilat është gjetur Marrakesh, banorët e të cilit kanë kaluar natën në rrugë.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Marokut, vdekjet nga tërmeti me 7 ballë janë në disa rajone, duke përfshirë provincat Al Houze dhe Marrakesh, si dhe qytetet Ouarzazate, Azilal, Chichaua dhe Taroudant.

Tërmeti 6.8 ballësh goditi 72 kilometra në jugperëndim të vendin turistik, Marrakesh, më 8 shtator në orën 23:11, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara. Lëkundje të fuqishme u ndien edhe në qytetet bregdetare Rabat, Kasablanka dhe Esaourija, transmeton REL.

Numri i viktimave mund të rritet derisa operacionet e kërkim po vazhdojnë dhe ekipet e shpëtimit po arrijnë në zonat e thella të vendit.

Televizioni maroken shfaqi pamje nga pasojat e tërmetit, nga i cili shumë njerëz u detyruan të flenë jashtë, duke u frikësuar nga lëkundje të tjera pas tërmetit shkatërrues.

Familje në ankth qëndruan nëpër rrugë dhe trotuare, disa prej të cilave me fëmijë, batanije apo gjëra të tjera në dorë.

“Ne e ndiem një dridhje të fortë, dhe e kuptuam se ishte tërmet”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Abdelhak El Amrani, një 33-vjeçar nga Marakeshi.

“Mund t’i shihja ndërtesat duke lëvizur. Pastaj dola jashtë dhe pashë shumë njerëz. Ata ishin të tronditur dhe në panik. Fëmijët qanin dhe prindërit të shqetësuar”, shtoi ai.

Xhamia e shekullit të XII-të, Koutoubia, në Marakesh, njëra nga më të famshmet u dëmtua nga tërmeti, por nuk është e qartë se deri në çfarë shkalle, raportuan mediat marokene. Minarja e saj 69 metra e lartë njihet si “çatia e Marakeshit”.

Marokenët postuan në rrjetet sociale video që shfaqën dëmtimin e disa pjesëve të mureve të kuqe të famshme, të cilat e rrethojnë qytetin e vjetër Marakesh, një zonë e trashëgimisë botërore të UESCO-s.

Kryetari i një qyteti afër vatrës së tërmetit tha për televizionin maroken 2M se disa shtëpi në qytetet përreth janë shembur pjesërisht apo plotësisht, ndërsa rryma është ndërprerë dhe rrugët janë mbyllur në disa vende.

Mediat marokene raportuan se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që e ka goditur vendin e Afrikës Veriore deri më sot.

Më 2004, së paku 628 persona u vranë dhe 926 të tjerë u lënduan si pasojë e një tërmeti në verilindje të Marokut, ndërsa më 1960, një tërmet 6.7 ballës në Agadir, i vrau më shumë se 12.000 njerëz.