U lirua nga akuza ish-kryetari i KSHZ-së në Maqedoninë e Veriut

Gjykata themelore penale Shkup sot solli aktvendim lirues për ish-kryetarin e Komisionit shtetëror zgjedhor, Oliver Derkovski, i cili ishte akuzuar për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, raporton MIA.

Krahas Derkovskit, u liruan nga akuza edhe tre të punësuar në KSHZ dhe një drejtues i një operatori ekonomik, të cilët ngarkoheshin se kanë kryer “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” gjatë zbatimit të dy furnizimeve publike, me çka e kanë dëmtuar Buxhetin për 1 312 409 denarë apo rreth 21 mijë euro.

Sipas Këshillit gjyqësor, prokurori publik nuk ka dëshmuar jashtë dyshimit të matur se të akuzuarit i kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen.

Sipas aktakuzës, tre të punësuarit në KSHZ, si anëtarë të Komisionit për furnizime publike, nuk e kanë respektuar afatin minimal ligjor për parashtrim të ofertave, nuk kanë konstatuar se operatori ekonomik DUNA SHPK Shkup nuk i ka përmbushur kushtet për pjesëmarrje në procedurë dhe me atë rast nuk kanë zbatuar procedurë të rregullt për evaluim të ofertave të parashtruara, por ofertën e kanë vlerësuar si të pranueshme dhe kanë dhënë numër maksimal të pikëve.

Procesin e udhëhoqi gjykatësi Ilia Tërpkov.