Drejtorët për ekonomi dhe shëndetësi do të largohen pas zgjedhjeve, paralajmëroi Mexhiti

Qendra e re klinike që duhet të jetë gati deri në qershor të këtij viti, do të jetë i riorganizuar, gjegjësisht çdo klinikë nuk do të ketë udhëheqësi të veçantë, paralajmëroi ministri për shëndetësi, Fatmir Mexhiti, transmeton Portalb.mk.

Ai informoi që ka filluar procesi i ndërprerjes së drejtorëve organizativ dhe mjekësor, që do të mbaron pas zgjedhjeve, në qershor.

“Prioriteti im i parë është bashkimi i Qendrës Klinike. Ajo do të jetë realitet. Vërtet kam pasur mbështetje të parezervë për këtë projekt. Ne ishim luftëtarët kryesorë për ta çuar këtë deri në fund. Qendra e re klinike do të jetë realitet deri në fillim të qershorit. Rrjedhin të gjitha procedurat, ka 33 këshilla drejtues, 33 drejtor mjekësor dhe organizativ”, deklaroi Mexhiti.

Qendra e re Klinike vazhdon të jetë vetëm një premtim që deri tani nuk është realizuar. Në vitin 2019, ish-kryeministri Zoran Zaev tha se ndërtimet do të fillojnë në vjeshtë të atij viti. Për këtë investim ishte siguruar edhe kredi nga Banka Qendrore Evropiane, por deri tani Qendra e re Klinike nuk është ndërtuar.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Mexhiti më 1 dhjetor në kuadër të një vizite pune të Mbretërisë së Bashkuar u takua me Ministrin e Eksportit, Departamentit për Biznes dhe Tregti, Lord Malkolm Oford i Garuellit, në të cilën u shpreh gatishmëria e tyre për të mbështetur financimin e projektit për ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare.

Në muajin maj, Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti kishte deklaruar që prej janarit të vitit 2024 Qendra Klinike e Shkupit “Nënë Tereza” do të funksionojë me një drejtor të përgjithshëm. Ai në një deklaratë për media theksoi se kjo do të thotë se do të shfuqizohet posti i drejtorëve organizativ, gjegjësisht ekonomik.