Bashkimi Evropian miratoi aktin për rregullimin e inteligjencës artificiale

Pas një raundi negociatash intensive javën e kaluar, ligjvënësit Evropianë në Bruksel arritën një “marrëveshje provizore” lidhur me Aktin e Inteligjencës Artificiale propozuar nga Bashkimi Europian, raporton PCW.

Mendohet se Akti AI është i pari set rregullash të qarta në botë që qeverisin përdorimin e inteligjencës artificiale ndërsa mund të shërbejë si një standard edhe për vendet të tjera që synojnë të miratojnë ligje të ngjashme.

Sipas njoftimit për shtyp të publikuar, u vendosën disa obligime për sistemet e inteligjencës artificiale për përdorim të përgjithshëm (GPAI) të cilët duhet të përmbushin disa kritere siç është vlerësimi i riskut, testimi, raportimi i incidenteve etj.

Edhe pse detajet sesi kriteret do të aplikohen munguan, BE-ja shpjegoi gjobat që presin kompanitë në rast të shkeljes së tyre. Sanksionet variojnë nga 7.5 milionë euro ose 1.5 përqind të të ardhurave vjetore globale deri në 35 milionë euro ose 7 përqind të të ardhurave globale vjetore.

Drafti i parë i Aktit AI u zbulua në 2021 për të sinkronizuar rregullimin e teknologjisë AI mes vendeve anëtare. Ai draft ishte përpiluar përpara mbërritjes së mjeteve të inteligjencës artificiale gjeneruese si ChatGPT.

Ndryshe, më 19 dhjetor në Shkup do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare “e-Shoqëri.mk”, organizuar nga Fondacioni Metamorfozis në Hotelin “Meriot” në Shkup.

Përkujtojmë që edicioni i 19-të i konferencës ndërkombëtare “E-shoqëri.mk” nga Fondacioni Metamorfozis do të fillojë më 18 dhjetor në Future Skills Center të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, në ora 18:00 me “Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”