DREJT AGUT TË URTËSISË

“Pa i kuptuar qiejt, nuk mund të qeverisësh tokën. Pa ndërtuar lidhje me qiellin, nuk e vendos dot drejtësinë.”

Intelektuali me renome ndërkombëtare İbrahim Kalın, që mban firmën e fjalëve të mësipërme, këtë radhë, para lexuesit shqiptar shfaqet me veprën Nën kupën qiellore” (Logos-A, 2025), që targeton ‘lexuesin e zgjedhur’, individin që kërkon kuptimin e vërtetë të jetës, që synon të ndërtojë shëndetshëm botëvështrimin e vet në një kohë të mjegullt e krizologjike. Përmes diskursit të vet prej dijetari, ai na këshillon filozofçe si të gjallnojmë në një epokë në të cilën realiteti është dinamik, por mendimi është statik,“ku as arsyes, as zemrës nuk u jepet haku”, ku “arsyet janë konfuze, zemrat të ngurta, mendjet të mjegulluara, sytë të mbuluar, ëndrrat të cekëta, horizontet të ngushta, ndërgjegjet të djerra…”. Ky tekst vjen si sihariq në momentumin “kur gjithçka autentike komercializohet, kur e vërteta po na braktis”, kur dija është gjithnjë e më e përciptë, më e instrumentalizuar, kur ajo nuk është më një forcë që e shndërron njeriun, por thjesht një e dhënë, informacion apo mjet që njeriu e merr dhe e përdor në mënyrë arbitrare.

Në këtë vepër të përbërë nga intervistat e dhëna në programin “Nën kupën tonë qiellore” dhe në disa revista, Kalın, si një mendimtar i mirëfilltë dhe origjinal, në epiqendër ka njeriun si një qenie që duhet ta shohë botën me syrin e urtësisë, që lirinë reale mund ta fitojë vetëm duke iu nënshtruar sublimes, që të vërtetën duhet ta kërkojë te gjërat sipër vetes, në metafizikë të thellë, që duhet të jetojë në bazë të maksimës: “të lexosh atë që është në zemër është më e rëndësishme sesa të lexosh atë që është në letër”.

Ndër temat që vihen nën thjerrë në këto biseda shpirtërore janë: muzika, filozofia, historia, politika, letërsia, sporti, fotografia e të tjera, të gjitha të ndërlidhura me njohjen e vetes dhe të vlerave autentike që qëndrojnë kundruall tëhuajësimit të masovizuar. “Nëse nuk di asgjë për veten, përvojat kulturore të të tjerëve nuk do të jenë gjë tjetër veçse informacione të varura në ajër” – thotë autori.

Në këto njësi shkrimore në formatin pyetje-përgjigje shtjellohen dyshe si: ekzistenca-hiçi, koha-hapësira, njeriu-natyra, bota këtu-bota andej, mendja-zemra, tradita-moderniteti, Islami-Perëndimi e të ngjashme. Aty zbërthehet edhe fenomeni modernitet si një “histori e prodhimit të idhujve të rremë për të zëvendësuar Krijuesin”.

Kjo vepër e pasuron kulturën tonë me diçka substanciale që iu  mungon letrave shqip, me një frymë që kapërcen lëndoren dhe puro-racionalen bashkëkohore. Leximi i kësaj vepre kërkon edhe laps-fletën pranë, sepse ka shumë për të shënuar, shumë fjalë e fjali që të thonë “ndal”, që s’të lënë të bësh lexim klasik të paprerë. Shkurt, Nën kupën qiellore” është leksion i bukurmendimit dhe bukurshprehjes që në mënyrë magnetike tërheq çdo person që dëshiron të bëhet pjesë e një shkolle joformale, e një shkolle universale të jetës.

Këtë libër simfoni, ku ndërthuren disiplina të ndryshme të dijes, ku evokohen kujtimet dhe përjetimet e autorit nga fëmijëria deri sot, në veçanti ia sugjerojmë popullatës rinore që është në fazën e ndërgjegjësimit për ekzistencën, virtytet dhe që i hap velat drejt horizontit të hapur. Kjo grupmoshë prej Kalın-it do të mësojë se vetëm njeriu me këmbë në tokë, me kryet drejt kupës qiellore (tanimë “të shpuar”, “të çarë” ndonëse është krijuar pa mangësi) dhe me vendarritje të përtejme, mund të quhet “njeri” në kuptimin e plotë të fjalës.

Në shekullin XXI mund të notojnë vetëm ata që e kundërshtojnë statusin në të cilin informacioni ka zëvendësuar dijen; ekspertiza, urtësinë; e pjesshmja, universalen; veç ata që jetojnë me bindjen se vetëm nëse e ruajmë thelbin, nëse ngjitemi moralisht e shpirtërisht, mund të flasim për përparim. Në këtë kohë lëkundjesh shumëpërmasore, neve na duhet një brez me vizion ekzistencial, që e ngre kokën dhe pasi e sheh kupën qiellore, sheh përpara, shtron pyetje, por nuk kërcen nga pyetjet esenciale te çështjet  terciare.

Ta mbyllim me sqarimin e shprehjes kallëniane ‘agu i urtësisë’: momenti kur mençuria nis të ndriçojë, ashtu si agimi që ndriçon ditën; fillimi i një ndriçimi mendor ose shpirtëror; çasti kur një person arrin një kuptim të thellë të jetës; fillimi i një epoke të re, ku shoqëria ose kultura fillon të lulëzojë intelektualisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.