Dredhza Braina një hap më afër çmimit global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”, votimi është hapur
Ekspertja e fushës së sigurisë kibernetike, Dredhza Braina, është përzgjedhur si finaliste në kategorinë “Barrier Breaker” për çmimin ndërkombëtar Cybersecurity Woman of the Year 2025, organizuar nga United Cybersecurity Alliance, shkruan Portalb.mk.
Ky çmim nderon gratë që po sjellin ndryshime domethënëse në industrinë e sigurisë kibernetike, duke thyer barriera dhe hapur rrugë për gjenerata të reja të profesionistëve në këtë fushë.
“Jam jashtëzakonisht e emocionuar dhe mirënjohëse për këtë përzgjedhje. Është një nder i madh të jem në mesin e grave të jashtëzakonshme që po bëjnë ndryshim në mbarë botën”, ka shkruar Dredhza Braina.
Aktualisht është e hapur faza finale e votimit publik, ku qytetarët nga mbarë bota mund të japin mbështetjen e tyre për finalistët.
Afati për votim përfundon më 30 qershor 2025.
Ceremonia përmbyllëse do të mbahet në Las Vegas, SHBA, ku finalistët do të mblidhen për të festuar kontributet e tyre në avancimin e sigurisë kibernetike.