Arlinda Baftiu: BE-ja është partner jo shkop magjik, përgjegjësia për reforma është e jona
Gazetarja, aktivistja dhe poetja nga Shkupi, Arlinda Baftiu së fundmi ishe e nominuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup për të marrë pjesë në Programin e Vizitorëve të Bashkimit Evropian (EUVP), ku për një javë ishte në Bruksel dhe Strazburg. Ajo pati edhe fjalim në Parlamentin Evropian, ku ngriti çështje të rëndësishme të demokracisë, rinisë, BE-së dhe medias. Direkt nga institucionet e BE-së ajo vjen në Portalb.mk për të rrëfyer mbi këtë përvojë dhe mësimet që mori atje. Baftiu thotë se BE nuk është shkopi magjik që do të zhduk të gjitha problemet tona, është partneri ynë në ndërtimin e një sistemi vlerash që nuk do t’i detyrojë të rinjtë të ikin nga vendi, por përgjegjësia është e jona për ti përmirësuar praktikat demokratike dhe për të reformuar segmentet jetike për shoqërinë.
Portalb.mk: Së fundmi ishit e nominuar nga Delegacioni i BE-së në vend për Programin e Vizitorëve të Bashkimit Evropian (EUVP), ku ishit në Bruksel dhe Strazburg, si ishte kjo përvojë dhe çfarë morët nga atje për të sjellë këtu?
Arlinda Baftiu: Fillimisht dua të shpreh falënderimin tim ndaj Portalb për konsideratën dhe vëmendjen që i jep kësaj përvoje profesionale që nuk është thjesht e interesit personal por me ngarkoi me përgjegjësinë dhe më dha nderin të ndaj mesazhe të rëndësishme në një agorë ndërkombëtare siç është Parlamenti Evropian në Strazburg.
Ishte një përvojë jashtëzakonisht produktive dhe intensive, dhe një mundësi shumë e vlefshme për t’u njohur më mirë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me politikat e Bashkimit Evropian, qëllimet, arritjet, interesat dhe veçanërisht institucionet dhe strukturat e BE-së, si dhe një mundësi për të shtruar pyetje dhe ngritur pikëpyetje mbi tematikat të cilat më tangojnë profesionalisht, si të rinjtë, mundësitë dhe përfshirja e të rinjve, edukimi dhe alternativat e të rinjve, mediet si dhe vlerat demokratike. Procesi i nominimit tim filloi në mars të vitit paraprak dhe ka qenë një proces ku bashkërisht me interlokutorin/ndërmjetësuesin, kemi hartuar një listë takimesh me përfaqësuesit dhe strukturat e BE-së, kjo mundësoi që të krijohet një program i personalizuar, intensiv me takime të shumta në të cilat mora informacione relevante dhe një kuptim më të saktë për mbështetjen konkrete që BE i jep vendin tonë dhe të rinjve në përgjithësi.

Portalb.mk: Si pjesë e kësaj vizite, kishit edhe fjalim në Parlamentin Evropian, cilat çështje i ngritët dhe pse?
Arlinda Baftiu: Ishte një ftesë nga Parlamenti Evropian dhe organizatorët e EYE- European Youth Event (Eventi Rinor i Evropës) që të jem folëse në punëtorinë mbi ” Të ardhmen e Demokracisë”, specifikisht të flas mbi rolin e të rinjve në përforcimin e vlerave demokratike përmes medies, edukimit dhe angazhimit rinor. Vizionin për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor, si sfidat dhe mundësitë aktuale formësojnë të ardhmen e qeverisjes. Pas disa diskutimeve me koordinatorët e evenimentit, vlerësuam se kto ishin tematika jashtëzakonisht jetike për pikëpyetjet që ngrit e ardhmja e domokracisë edhe në kontekstin më të gjërë gjeografik.
Portalb.mk: Çfarë mesazhi deshët të përcillni në fjalimin tuaj mbi “Të ardhmen e demokracisë 2050”?
Arlinda Baftiu: Kam qenë në moshën 10 vjeçare kur përherë të parë e kam lexuar fjalën demokraci në librin e edukimit qytetar, duke pasur një baba jurist që kishte përgjigje për çdo çështje, e pyeta se çfarë është demokracia? “Demokracia është pushteti i popullit, që vjen nga populli, për ti shërbyer popullit”-Kjo përgjigje e thjesht dhe më kuptimplotë të cilën e mbaj mend më mirë se çdo teori tjetër të mësuar në edukimin universitar, është harta orientuese dhe motivimi im në kuptimin dhe angazhimin tim në çdo proces.
Edhe fjalimi im përcolli disa mesazhe që kryesisht kanë të bëjnë me sfidën për ta kuptuar demokracinë si një proces që ndërtohet së bashku, dhe një proces që ka nevojë për angazhimin e secilit prej nesh. Duke numëruar sfidat dhe rreziqet që ngulfasin demokracinë sot, si korrupsioni dhe mentaliteti politik që nuk i hap rrugë meritokracisë, theksova se zgjidhja nuk është apatia por angazhimi kritik dhe aktiv i të rinjve.

Portalb.mk: U fokusuat te roli i medias, edukimit cilësor dhe angazhimit rinor në ruajtjen dhe forcimin e demokracisë. Cilat mendoni se janë pikat më të dobëta dhe më të forta në këto fusha në Ballkanin Perëndimor?
Arlinda Baftiu: Të rinjtë në vendin tonë por edhe në botë kanë qenë gjithmonë forca lëvizëse e çdo ndryshimi pozitiv, qëndresa dhe kundërpërgjigja me instrumentet demokratike si protesta, avokimi i tyre dhe persistenca për përfshirje në procese që i tangojnë drejtpërdrejt ata, aktivizmi i tyre që nga aksionet e ndryshme shkollore deri tek iniciativat pozitive dhe kampanjat që zhvillojnë është jetik për t’i dhënë frymë demokracisë participatore. Nuk mund ta anashkaloja fuqinë e njërit nga slloganet në protestat e të rinjëve pas tragjedisë në Koçan, “Derisa frigësohemi se a do të kemi sukses për ta ndryshuar sistemin, sistemi na ndryshon ne”, si një sllogan që përshkruan fuqishëm realitetin e të rinjëve dhe thirrjen për rëndësinë e angazhimit të tyre. Në kontekstin e edukimit, të rinjtë tanë të cilët janë integruar në vendet evropiane në struktura të rëndësishme qoftë universitare apo struktura të tjera profesionale, janë dëshmi se edukimi është vlera që hap rrugët e vërteta, thirrja ime ishte për përfshirje të edukimit qytetar në kurrikulat shkollore dhe aktivitetet ekstrakurikulare në mënyrë që të krijohet vetëdije sa më e hershme dhe sa më e drejtë për përgjegjësinë individuale që secili prej nesh ka ndaj shoqërisë, vendit dhe demokracisë, duke edukuar votues të rinj, qytetar aktiv dhe qytetar që kanë sens të fuqishëm ndaj pasojave kolektive të kulturave jo demokratike.
Portalb.mk: A pati ndonjë moment gjatë vizitës tuaj në kuadër të EUVP që ju frymëzoi apo që e ndryshoi perceptimin tuaj mbi Bashkimin Evropian?
Arlinda Baftiu: E tërë përvoja ishte definitivisht e tillë, pas kësaj përvoje e kuptoj se BE krijon mekanizma për ta sygjeruar dhe ndihmuar vendin tim dhe kontinentin drejt zhvillimit, por BE nuk është shkopi magjik që do të zhduk të gjitha problemet tona, është partneri ynë në ndërtimin e një sistemi vlerash që nuk do t’i detyrojë të rinjtë të ikin nga vendi, por përgjegjësia është e jona për ti përmirësuar praktikat demokratike dhe për të reformuar segmentet jetike për shoqërinë.
Ka qenë jashtëzakonisht frymëzuese të bëj pjesë në debate me të rinj të një brezi që nuk ka frikë të ngrejë pikëpyetje mbi realitet globale sot, misionin dhe rolin e BE-së si një projekt global për paqe, për rëndësinë jetike të këtij misioni edhe në këtë periudhë me lufta aktive dhe konflikte me pasoja të tmerrshme njerëzore.
Ishte jashtëzakonisht frymëzuese të njihem me historinë e fuqishme të Simone Veil, gruas së parë presidente të Parlamentit Evropian dhe grave të tjera që kanë udhëhequr procese të rëndësishme.

Portalb.mk: Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut dhe BE-ja, si qëndron kjo lidhje sipas teje, marrë parasysh përvojën dhe perceptimet para dhe pas vizitës atje?
Arlinda Baftiu: Edhe pse Maqedonia e Veriut nuk është akoma anëtare e BE, të rinjtë e vendit tim kanë të drejta dhe mundësi të barabarta me ato të një studenti Evropian, në programet dhe mundësitë e shumta veçanërisht të sektorit të edukimit dhe kulturës, si Erasmus+YOUTH, program që ju ofron mundësi të jashtëzakonshme edukimi dhe mobiliteti në universitete evorpiane dhe mundësitë për nxënësit e shkollave të mesme. Si dhe mundësitë e jashtëzakonshme në kuadër të programeve tjera si Evropa Kreative dhe Korpusit Evropian të Solidaritetit, programe që kanë buxhete të mëdha në shërbim të mundësive për të rinjtë. Veçanërisht fokusin e programeve që mbështesin hulumtuesit e rinj shkencorë, start-up-et dhe inovacionin, mjafton që të rinjtë të angazhohen më shumë për ti njohur dhe shfrytëzuar këto mundësi.
Portalb.mk: Si e shihni angazhimin e të rinjve në vend dhe në rajon në raport me demokracinë dhe BE-në, a janë mjaftueshëm të përfshirë dhe sa dëgjohet zëri i tyre?
Arlinda Baftiu: Gjatë këtij programi dhe rreth 10 takimeve të realizuara me udhëheqës të drejtorive gjenerale dhe përfaqësuesve të programeve që mbulojnë sfera të ndryshme prioritare për BE-në, u njoha me mekanizmat e shumta që strukturat e institucioneve të BE-së kanë krijuar dhe po krijojnë për përfshirjen më të madhe të të rinjve në vendimmarrje, ajo çfarë e dallon këtë realitet nga vendi ynë është strategjia. Institucionet e BE-së, e konsiderojnë përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje si hap strategjik dhe jo vetëm si PR, i bukur dhe tërheqës për fushata elektorale pa u pasuar me mekanizma konkrete dhe vullnet të vërtetë politik.
Mekanizma si, Strategjia Rinore e BE (EU Youth Strategy), Objektivat Evropiane të të rinjve ( Europen Youth Goals), Dialogu Rinor I BE-së (EU Youth Dialogue) dhe në të ardhmen, Bordi Këshillues Rinor, janë të gjitha mekanizma që integrojnë të rinjtë në vendimmarrje dhe i përgjigjen sfidave që ballafaqojnë të rinjtë.
Portalb.mk: Kur jemi te zëri i të rinjve, cila është përgjegjësia e mediave në ruajtjen e demokracisë dhe si mund të ndihmojnë ato që zëri i të rinjve të dëgjohet më shumë?
Arlinda Baftiu: Që nga dita e parë e angazhimit tim në media jam përpjekur t’i përgjigjem sfidave rinore duke krijuar platforma mediale për të rinjtë, mendoj se media duhet të krijojë më shumë platforma edukative dhe fuqizuese për të rinjtë, duke i vënë në fokus temat që i tangojnë drejtpërdrejtë të rinjtë por edhe duke promovuar modelet e mirëfillta të vlerave për ta dhe duke i dhënë më shumë hapësirë profesionistëve të rinj dhe shembujve pozitiv të shoqërisë sonë. Ne kemi nevojë të besojmë në vlera, ne kemi nevojë urgjente ti luftojmë narrativet retrograde dhe normalizuese të dukurive negative. Le të hedhim më shumë dritë mediatike te shkëndijat e të mirës dhe atyre që reprezentojnë vlera reale.
Portalb.mk: Si do të shërbejë përvoja juaj në këtë program për të fuqizuar të rinjtë dhe organizatat rinore në Maqedoninë e Veriut?
Arlinda Baftiu: Informacionet që kam marrë dhe kontaktet do të shërbejnë për t’i orientuar më mirë tematikat rinore që mendoj se duhet të prioritizohen në hapësirat mediatike. Nuk kam hezituar të rekomandoj organizatat dhe iniciativat që kanë dëshmuar angazhim të pakompromis në përmirësimin e demokracisë dhe reformave edukative në veçanti. Sigurisht se qëndroj si gjithmonë e hapur për çdo grupacion formal apo jo formal që ka interesim për të përcjellë informacionet dhe për të konsideruar ndihmën time.
Portalb.mk: Cili është mesazhi i juaj për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, por edhe ata të rajonit dhe më gjerë?
Arlinda Baftiu: Do ta përcjell po atë mesazh me të cilin përmbylla fjalimin tim në Strazburg. Autori i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka dhënë një emërtim shumë të saktë për Ballkanin si “Gadishulli Grindavec”. Nëse nuk e njohim mire të kaluarën tonë dhe nuk reflektojmë mbi atë të kaluar do të jetë e vështirë të ballafaqohemi me sfidat e të ardhmes, besoj fuqishëm se gjenerata e re është gati për të krijuar një dialog më të shëndosh dhe më respektues ndaj njëri tjetrit, të orientuar drejt progresit.