Dr. Rauf Ibishi: Mos shkoni te stomatologu vetëm kur keni dhimbje, parandalimi ju shpëton nga sëmundjet e rënda

Shëndeti i gojës është një nga shtyllat e shëndetit të përgjithshëm, por ende mbetet një nga aspektet më të neglizhuara të kujdesit shëndetësor. Shumë njerëz vizitojnë stomatologun vetëm kur dhimbja bëhet e padurueshme, ndërsa kontrollet parandaluese vazhdojnë të anashkalohen. Në një intervistë për Portalb.mk, dr. Rauf Ibishi, doktor i shkencave stomatologjike me mbi 20 vjet përvojë profesionale në Gjermani, flet për gabimet më të shpeshta në higjienën orale, rëndësinë e kontrolleve të rregullta, trendin në rritje të stomatologjisë estetike dhe kujdesin që duhet treguar gjatë trajtimeve si zbardhja e dhëmbëve dhe fasetat. Ai ndalet gjithashtu te rëndësia e krijimit të besimit të fëmijëve ndaj stomatologut që në moshë të hershme, si dhe te lidhja e ngushtë mes shëndetit të gojës dhe sëmundjeve si diabeti, problemet kardiovaskulare dhe komplikacionet gjatë shtatzënisë.

I lindur në fshatin Sallarevë, me arsimin e mesëm të përfunduar në Tetovë Dr. Rauf Ibishi i vazhdoi studimet e Stomatologjisë në Universitetin Julius-Maximilians të Würzburgut, ku u diplomua në vitin 2001. Pas më shumë se dy dekadash pune si stomatolog në Nürnberg, ai e kurorëzoi rrugëtimin e tij akademik duke mbrojtur doktoraturën në Universitetin Friedrich-Alexander Erlangen-Nürnberg (FAU), një nga universitetet më të njohura dhe më prestigjioze të Gjermanisë.

Portalb.mk: Doktor Ibishi, cilat janë gabimet më të shpeshta që njerëzit bëjnë me higjienën e dhëmbëve dhe pse ende shkojmë te stomatologu vetëm kur kemi dhimbje?

Rauf Ibishi: Gabimet më të shpeshta janë higjiena e pamjaftueshme e gojës, larja e dhëmbëve për një kohë shumë të shkurtër ose me teknikë jo të duhur, moskujdesi ndaj hapësirave ndërmjet dhëmbëve, si dhe mungesa e kontrolleve të rregullta te stomatologu. Shumë njerëz i lajnë dhëmbët dy herë në ditë, por nuk përdorin pe dentar ose furça interdentare. Pikërisht në këto hapësira krijohen më shpesh kariesi dhe sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.

Një gabim tjetër është se problemet dentare merren seriozisht vetëm kur shfaqet dhimbja. Në fakt, kariesi dhe parodontiti në fazat fillestare zakonisht nuk shkaktojnë dhimbje. Kur shfaqet dhimbja, shpesh është shenjë se sëmundja ka avancuar dhe trajtimi bëhet më i ndërlikuar.

Prandaj këshilla ime është e thjeshtë: bëni kontroll te stomatologu të paktën dy herë në vit. Parandalimi është gjithmonë më i lehtë, më i sigurt dhe më ekonomik sesa trajtimi.

Portalb.mk: Sot po rritet shumë kërkesa për stomatologji estetike, si zbardhja apo fasetat (veneers). Sa janë këto trajtime të sigurta për shëndetin e dhëmbëve dhe a duhet të kemi kujdes se ku i bëjmë?

Rauf Ibishi: Stomatologjia estetike ka bërë përparime të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit. Zbardhja profesionale e dhëmbëve dhe fasetat dentare (veneers) janë metoda të sigurta dhe të provuara, me kusht që të kryhen nga stomatologë të kualifikuar dhe pas një ekzaminimi të plotë.

Para çdo trajtimi estetik, dhëmbët dhe mishrat duhet të jenë të shëndetshëm. Kariesi, mbushjet jo cilësore ose inflamacionet duhet të trajtohen fillimisht. Po aq e rëndësishme është që trajtimi të planifikohet individualisht dhe të mos bëhet vetëm për arsye estetike.

Unë këshilloj që zbardhja e dhëmbëve ose vendosja e fasetave të mos kryhen te persona apo qendra jo të licencuara, apo vetëm për shkak të çmimeve më të ulëta jashtë vendit. Vendimtare janë përgatitja profesionale e mjekut, përdorimi i materialeve cilësore dhe kontrolli i rregullt pas trajtimit. Estetika nuk duhet të jetë kurrë në dëm të shëndetit të dhëmbëve.

Portalb.mk: Fëmijët shpesh kanë frikë nga stomatologu. Si mund t’i ndihmojnë prindërit që vizita te dentisti të mos perceptohet si diçka e frikshme dhe në çfarë moshe rekomandohet kontrolli i parë?

Rauf Ibishi: Qëndrimi i prindërve luan një rol vendimtar. Fëmijët i përvetësojnë shumë lehtë emocionet dhe reagimet e prindërve të tyre. Prandaj, vizita te stomatologu duhet të prezantohet gjithmonë si një përvojë pozitive. Edhe shprehje si: “Mos ki frikë” ose “Nuk do të dhembë fare”, pa dashje mund ta shtojnë ankthin e fëmijës.

Vizita e parë te stomatologu rekomandohet që me daljen e dhëmbit të parë, ose më së voni deri në ditëlindjen e parë të fëmijës. Qëllimi i kësaj vizite nuk është trajtimi, por njohja me ambientin e ordinancës dhe krijimi i besimit.

Kontrollet e rregullta dhe pa dhimbje ndihmojnë që fëmija ta shohë stomatologun si pjesë normale të kujdesit për shëndetin. Kështu krijohen themelet për një shëndet të mirë oral gjatë gjithë jetës.

Portalb.mk: Shpesh dëgjojmë se shëndeti i gojës ndikon edhe në shëndetin e përgjithshëm. Sa e vërtetë është kjo dhe cilat sëmundje mund të lidhen me problemet dentare?

Rauf Ibishi: Shëndeti i gojës është një pjesë shumë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm. Studime të shumta shkencore kanë treguar se inflamacionet kronike në gojë mund të ndikojnë në të gjithë organizmin.

Veçanërisht parodontiti-inflamacioni kronik i indeve që mbështesin dhëmbin-lidhet me sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, komplikacionet gjatë shtatzënisë dhe disa sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes. Nga ana tjetër, edhe sëmundjet e përgjithshme ndikojnë në shëndetin oral. Për shembull, pacientët me diabet kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar sëmundje të mishrave të dhëmbëve.

Sot, stomatologjia moderne nuk e sheh më shëndetin e gojës si diçka të veçuar, por si një pjesë të rëndësishme të shëndetit të përgjithshëm. Një gojë e shëndetshme kontribuon drejtpërdrejt në një cilësi më të mirë të jetës dhe në mirëqenien e përgjithshme.

Dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë që ta konsiderojnë shëndetin e gojës si një pjesë të pandashme të shëndetit të përgjithshëm. Kontrollet e rregullta, higjiena e mirë orale dhe bashkëpunimi me stomatologun ndihmojnë që shumë sëmundje të zbulohen në kohë ose të parandalohen plotësisht.

Motoja ime është: “Trajtimi më i mirë dentar është ai që nuk bëhet kurrë i nevojshëm, falë parandalimit”.

I lindur në fshatin Sallarevë, me arsimin e mesëm të përfunduar në Tetovë Dr. Rauf Ibishi i vazhdoi studimet e Stomatologjisë në Universitetin Julius-Maximilians të Würzburgut, ku u diplomua në vitin 2001. Pas më shumë se dy dekadash pune si stomatolog në Nürnberg, ai e kurorëzoi rrugëtimin e tij akademik duke mbrojtur doktoraturën në Universitetin Friedrich-Alexander Erlangen-Nürnberg (FAU), një nga universitetet më të njohura dhe më prestigjioze të Gjermanisë.

Fotografi nga arkivi personal i Rauf Ibishit
Fotografi nga arkivi personal i Rauf Ibishit

Për Ibishin, ky sukses përfaqëson jo vetëm një arritje personale, por edhe një mirënjohje për familjen dhe njerëzit që e kanë mbështetur gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

“Këtë titull akademik ua kushtoj me gjithë zemër prindërve të mi të ndjerë, të cilët më edukuan me dashurinë për dijen, punën e ndershme, përkushtimin dhe këmbënguljen. Edhe pse sot nuk janë fizikisht pranë meje, ata mbeten burimi më i madh i frymëzimit, forcës dhe motivimit në jetën time. Shpreh falënderime për bashkëshorten, fëmijët, familjen, miqtë, kolegët dhe mentorët e tij akademikë, të cilët e kanë mbështetur dhe inkurajuar në çdo hap të këtij rrugëtimi ”, tha ai për Portalb.mk.