Rikonstruimi i Qeverisë së RMV-së, jozyrtarisht këto janë ministrat e ri
Në rikonstruimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga Hristijan Mickoski pritet një rishpërndarje e disa ministrive dhe ndryshime në poste kyçe. Kryeministri paralajmëroi që Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë do të udhëhiqen nga VMRO-DPMNE, shkruan Portalb.mk.
“Para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv do ta arsyetoj propozimin me të cilin do të dal në Parlament, sepse kjo është procedura dhe praktika – si mandatar fillimisht të sigurohet mbështetja e Komitetit Ekzekutiv të partisë për propozimin, e më pas të dal para Parlamentit dhe ta mbroj atë para deputetëve. Kështu që kjo është përafërsisht ajo që do të pasojë”, deklaroi Mickoski, duke paralajmëruar edhe përfshirjen e partisë turke PDT në Qeveri.
Kryeministri Mickoski në konferencën për media njoftoi që drejtori aktual i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, do të emërohet ministër i Shëndetësisë, ndërsa Ivan Stoilkoviq do të jetë ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
Ministër pa resor i angazhuar për integrimin e romëve do të jetë Erxhan Demir.
Gjoko Velkovski nga pozita e zëvendësministrit do të bëhet ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa ZNAM, sipas marrëveshjeve politike pritet të marrë Ministrinë e Bujqësisë me Borçe Serafimovskin si drejtues të ri. ZNAM përveç bujqësisë, pritet të marrë një zëvendësministri, që sipas Mickoskit do të ndryshojnë prej muajit shtator.
Ndërkohë, VLEN pritet të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë, Kulturës dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive. Jozyrtarisht mësohet se nga VLEN me Ministrinë ndërmjet Bashkësive do të udhëheq Muhamed Murtezi, ndërsa në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, pritet të emërohet Sedat Sulejmani.
Zëvendëskryeministri i Parë, Ministri i Çështjeve Evropiane dhe Sekretari i Përgjithshëm i VLEN, Bekim Sali, tha se do të ketë emra të rinj në ministritë e Drejtësisë dhe Kulturës, ndërsa se janë të kënaqur me punën e ministrave të tyre aktualë dhe se ata do të vazhdojnë.
Kujtojmë se Mickoski e ka paralajmëruar rikonstruimin e Qeverisë prej muajsh kurse zyrtarizimi duhet të ndodhë sonte.