Donjet Jahja solli librin “Atje ku heshtja këndon”, mes vargjeve të poezive ka plagë dhe dritë

Doli në dritë libri me poezi “Atje ku heshtja këndon”, nga autori Donjet Jahja. Mes vargjeve të këtyre poezive ka plagë, por ka edhe dritë. Është udhëtimi i autorit përmes errësirës deri te drita. Ky libër nuk është vetëm për autorin, por për lexuesin, për ata që kanë kaluar shumë e kanë thënë pak, shkruan Portalb.mk.

Autori Donjet Jahja për Portalb.mk tha se ky libër është një ftesë për të dëgjuar zërin e brendshëm që rrallë ndalet.

“Ky libër është një ftesë për të dëgjuar zërin e brendshëm që rrallë ndalet. Me anë të këtij libri lexuesve u kam ofruar një udhëtim emocional, ku fjala nuk kërkon të dëgjohet me vesh, por me shpirt. Përmes heshtjes, vargjet këndojnë për ndjesi që shpesh nuk guxojmë t’i themi me zë”, tha Jahja.

Ai shtoi se temat e poezive janë të ndryshme: dashuria, kujtimet, dhimbjet emocionale dhe shumë tema të tjera.

“Temat që përshkruajnë librin janë të ndjeshme si: vetmia, dashuria, humbja, dhimbja emocionale, kujtimet, identiteti, reflektimi mbi kohën dhe shpresa. Ka poezi që trajtojnë ndjeshmërinë njerëzore në formën më të pastër, ku lexuesi mund të ndjejë edhe dhimbjen, edhe dritën që ngrihet prej saj”, tha Jahja.

Ai shtoi se vargjet janë një kërkim për dritë dhe poezia e ndihmoi ta gjejë atë dritë dhe mbi të gjitha të besojë se ajo ekziston.

“Në shumë poezi, ajo dritë është e përmendur qartë, si në poezinë me titull “Drita në fund të tunelit”, apo tek disa poezi të tjera ku shpresa shfaqet si një flakë e qetë që ngrihet edhe në errësirë. Poezia më ndihmoi ta gjej atë dritë dhe, mbi të gjitha, të besoj se ajo ekziston”, tha Jahja.

Fotografi nga libri “Atje ku heshtja këndon”. Foto: Donjet Jahja
Fotografi nga libri “Atje ku heshtja këndon”. Foto: Donjet Jahja

Jahja tha se këto poezi janë të përjetuara thellësisht nga ai.

“Shumë prej tyre janë ndjenja të përjetuara thellësisht. Në disa raste janë përjetime të drejtpërdrejta, në të tjera reflektime të thella mbi ndjesi që më kanë ndjekur në heshtje. Te një poezi përmenden “Gurabije të Gjyshes” dhe “parfumi i Babit”, pra vetëm një shembull i qartë i lidhjes personale me vargun”, tha Jahja.

Jahja gjithashtu potencoi se ky është vetëm fillimi dhe do vazhdojë edhe më tej të sjellë për artdashësit e librit edhe shumë tituj të tjerë.

“Ky është vetëm fillimi. E kam gjetur veten në poezi dhe do të vazhdoj ta ndjek këtë rrugë. Padyshim një tjetër libër poetik do të vij në të ardhmen”, tha Jahja.

Jahja tha se këtë libër ua ka kushtuar prindërve të tij dhe se mbështetja nuk ka munguar.

“Mbështetja kryesore ka ardhur nga familja ime. Libri u është kushtuar prindërve të mijë. Po ashtu, falënderoj ekipin redaktues dhe botuesin “Litera Group” që më besuan dhe më ndihmuan ta sjell këtë përmbledhje në jetë. Pa këtë mbështetje, shumë nga këto poezi do të kishin mbetur vetëm në mendjen time. Falënderim të veçantë dhe gjithë stafit realizues të këtij libri”, tha Jahja.

Fotografi nga libri “Atje ku heshtja këndon”. Foto: Donjet Jahja
Fotografi nga libri “Atje ku heshtja këndon”. Foto: Donjet Jahja