Do të shtohen barna të reja në listën pozitive, paralajmëroi Qeveria e RMV-së

Prioritet shëndetësor i Qeverisë është zhbllokimi i procesit të vendosjes së barnave të reja në listën pozitive, të cilat bien në ngarkesë të Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), kështu që do të sigurojmë mekanizma për qasje në kohë të duhur dhe mënyrë përkatëse deri te, barnat e cilësisë së lartë dhe ndihmesave mjekësore. Këtë sot e ka paralajmëruar Qeveria e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Përndryshe, lista e barnave të cilat bien në ngarkesë të FSSH-së, nuk është përditësuar tanimë 15 vjet dhe është e domosdoshme që të pastrohet, ndërkaq autoritetet kompetente paralajmërojnë se barnat të cilat janë vjetërsuar do të zëvendësohen me të reja.

“Sot në Qeveri është mbajtur mbledhje në të cilën ka marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva, këshilltarja e kryeministrit për shëndetësi, dr. Ana DanevaMarkova, përfaqësuesja e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Agjencisë së Barnave dhe Mjeteve Shëndetësore, përfaqësues të kompanive farmaceutike, një pjesë e odave ekonomike në vend. Është diskutuar për zgjidhje të mundshme për përditësimin e listës pozitive të barnave, por edhe për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme të përhershme me qëllim të përmbushjes më efikase të nevojave të qytetarëve”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është diskutuar edhe për mundësitë për koordinim efikas dhe efektiv të të gjithë aktorëve, që të përmirësohen politikat shëndetësore dhe farmaceutike në vend, në interes të qytetarëve.

Javën e ardhshme do të formohet Komisioni për Listën Pozitive.

Në takim, përgjegjësit e kanë shqyrtuar edhe Rregulloren për mënyrën dhe metodologjinë për konstatimin dhe miratimin e listës së barnave të cilët bien në ngarkesë të FSSH-së, e cila është miratuar në mars të këtij viti.

Ndryshimet e fundit në këtë Rregullore mundësojnë nënshkrimin e marrëveshjeve speciale me të cilat do të mundësohet hyrja e më shumë barnave invovantive për të gjithë pacientët, të cilat i kanë të domosdoshme, dhe njëkohësisht mund të parashikohet dhe mbrohet buxheti shëndetësor.