Ditën ndërkombëtare për pagë të barabartë, në RMV kërkohet angazhim për përfaqësim të drejtë
Sot bota shënon Ditën Ndërkombëtare të pagës së barabartë, një ditë simbolike që na kujton nevojën për mundësi të barabarta dhe trajtim të drejtë. Është një ditë ndërgjegjësimi, debati publik dhe një thirrje për masa konkrete kundër një prej formave më të vjetra dhe më të vazhdueshme të diskriminimit: paga më të ulëta për gratë, transmeton Portalb.mk.
Aleanca për Barazi Gjinore (GEA) me rastin e kësaj dite kujton se hendeku gjinor në paga është ende i pranishëm, megjithëse parimi i pagës së barabartë për punë të barabartë u vendos që në vitin 1957 me Traktatin e Romës. Ky parim u forcua më vonë përmes një sërë direktivash të Bashkimit Evropian që garantojnë kushte të barabarta pune, sigurime shoqërore, akses në mallra dhe shërbime, ekuilibrin midis punës dhe jetës personale, lejen prindërore dhe trajtimin e barabartë të të vetëpunësuarve. Barazia gjinore, si një nga 20 parimet kryesore të Shtyllës Evropiane të të Drejtave Sociale, siguron të drejtën për pagë të barabartë për punë të barabartë, si dhe mundësi të barabarta për avancim në karrierë. Por a është kështu? Sigurisht, legjislacioni kontribuoi në një ulje të ndjeshme të hendekut në paga deri në vitet 1990, por në dekadat e fundit progresi ka qenë shumë i ngadaltë dhe mbetet një sfidë globale në tregun e punës. Globalisht, gratë fitojnë mesatarisht 20% më pak se burrat – ose për çdo 1 dollar të fituar nga një burrë, një grua fiton rreth 80 cent.
Në Bashkimin Evropian, hendeku mesatar gjinor në paga në vitin 2023 ishte 12.7%. Hendeku më i madh u regjistrua në Letoni (19%), ndërsa në Luksemburg gratë fitojnë më shumë se burrat, me një hendek gjinor prej -0.9%.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, megjithëse ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës përcaktojnë pagë të barabartë dhe trajtim të barabartë në aspektin e punësimit, kushteve të punës, skemave profesionale të sigurimeve shoqërore dhe ndalimit të diskriminimit (Neni 6), praktika tregon se garancitë ligjore nuk janë të mjaftueshme. Hendeku gjinor në paga në vitin 2022 ishte 13.5%. Të ardhurat mesatare vjetore bruto të burrave ishin 615,725 denarë, ndërsa për gratë ishte 532,625 denarë. Diferenca më e madhe në të ardhurat mesatare vjetore bruto midis burrave dhe grave është midis punonjësve të moshës 45-49 vjeç. Sa i përket nivelit të arsimit, hendeku më i madh gjinor ndodh midis punonjësve me arsim të lartë.
Këto dallime janë për shkak të disa faktorëve, siç janë përfaqësimi më i ulët i grave në pozicione drejtuese, diskriminimi në tregun e punës, përqendrimi më i lartë në sektorët me punë me vlerë më të ulët dhe fakti që 80-90% e punëtorëve që marrin pagë minimale janë gra. Përveç kësaj, ekziston edhe segregacion horizontal – vlerësim i pamjaftueshëm i profesioneve “femërore” dhe segregacion vertikal – gratë kanë më pak gjasa të marrin ngritje në detyrë dhe pozicione drejtuese.
“Këto dallime nuk janë vetëm çështje drejtësie, por edhe çështje racionaliteti ekonomik. Në vitin 2022, vetëm 37.9% e grave ishin të punësuara, krahasuar me 53.2% të burrave, dhe deri në 57.2% e grave nuk ishin fare aktive në tregun e punës. Sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, zvogëlimi i hendekut gjinor në pjesëmarrjen në tregun e punës me 25% deri në vitin 2025 do të sillte një rritje globale të PBB-së me 3.9% ose 5.8 trilionë dollarë amerikanë. Është e qartë se gratë përfaqësojnë potencialin më të madh të pashfrytëzuar për rritje ekonomike”, thotë GEA.
Aleanca u bën thirrje institucioneve, punëdhënësve dhe të gjithë shoqërisë që të angazhohen për përfaqësim të drejtë, kushte të barabarta dhe avancim të barabartë të grave. Barazia gjinore në vendin e punës nuk është vetëm çështje drejtësie – është një parakusht për rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe një shoqëri të drejtë.
Aleanca për Barazi Gjinore (GEA) është një iniciativë e Shoqatës së Tregtisë Elektronike e dedikuar për krijimin e një kulture pune gjithëpërfshirëse dhe promovimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ende nuk ka strategji shtetërore për luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje. Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR) thotë se ka disa muaj që e njëjta përgatitet nga ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe premton se deri në fund të vitit 2025 do të hyjë në procedurë qeveritare, kurse dhe më pas pritet të miratohet nga Parlamenti i RMV-së.