Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome, ministri Saliu kërkoi që gjuha rome të përfshihet si e detyrueshme në arsimin fillor dhe të mesëm
Katedër të gjuhës rome në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, qendra kulturore në Shkup dhe në katër qytete të tjera të rëndësishme, 30 mijë gramatika, abetare dhe po aq fjalorë në gjuhën rome, janë vetëm një pjesë e kërkesave të shpallura sot nga ministri pa portofol i ngarkuar për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve 2022-2030, Shaban Saliu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome, transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë për mediat, Saliu tha se pret një zgjidhje reale sistematike institucionale për romët në aspektin gjuhësor.
“Ajo që pres si pjesë e Qeverisë së re, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski, është që të nxjerrim 30 mijë gramatika, 30 mijë abetare, 30 mijë fjalorë në gjuhën rome, që t’i shpërndajmë në çdo familje rome”, tha Saliu.
Sipas Saliut, është e nevojshme të krijohet një katedër e gjuhës rome në UKM, të ketë mësimdhënës dhe profesorë cilësorë që do të mësojnë gjuhën rome në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe përfshirjen e gjuhës rome si të detyrueshme në arsimin fillor dhe të mesëm.
Saliu shpreson se me buxhetin e vitit 2025 do të ndahen mjete të mjaftueshme për arsimin dhe studimin e gjuhës rome.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se gjuha rome është përkujtues se duhet ta ruajmë dhe të kujdesemi dhe të sigurohemi se do të vazhdojë të jetojë dhe të zhvillohet. Mickoski tha se shkollimi nuk duhet të jetë privilegj dhe se duhet të jetë e drejtë e çdo të riu, pa marrë parasysh prejardhjen, gjendjen ekonomike apo përkatësinë etnike. Detyra e tyre si qeveri është të ndërtojnë një sistem që do të ofrojë arsim cilësor dhe të përballueshëm për të gjithë.
“Gjuha rome është shumë më tepër se një mjet komunikimi. Është simbol i identifikimit, kulturës dhe unitetit të komunitetit rom në mbarë botën. Nëpërmjet saj transmetohen histori, zakone, këngë e valle, të cilat ruhen brez pas brezi. Gjuha është ajo që e lidh një komunitet, ajo që jep ndjenjën e përkatësisë dhe ruan autenticitetin e saj”, tha Hristijan Mickoski.
Dita Botërore e Gjuhës Rome promovon gjuhën, kulturën dhe arsimin rom. Ajo festohet më 5 nëntor dhe UNESCO e shpalli atë Ditë Botërore në vitin 2015. Që nga viti 2018, 16 shtete anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur gjuhën rome si gjuhë të pakicës sipas Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Minoritetit.
Kujtojmë se KE në raportin e fundit të progresit, thotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kënaqshëm në fushën e përfshirjes së romëve, duke zbatuar strategjinë për 2022-2030. Megjithatë, strategjisë i mungon një qasje e qartë ndaj pjesëmarrjes, fuqizimit dhe ndërtimit të kapaciteteve. Plani i veprimit për të drejtat e grave dhe vajzave rome zbatohet në mënyrë të moderuar. Sfidat kryesore përfshijnë frekuentimin e parregullt të shkollës, fëmijët e rrugës dhe segregacionin në shkolla.
KE nëkëtë drejtim kërkon nga vendi që të përmirësojë qasjen në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome; të zhvillojë më tej aftësitë e mësuesve dhe të investojë në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të tyre.