Sot shënohet Dita e Romëve, Maqedonia e Veriut e pranoi dështimin

Në Maqedoninë e Veriut sot shënohet 8 Prilli, e njohur ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Romëve, transmeton Portalb.mk.

Me këtë rast, krerët shtetëror kanë dërguar mesazhe urimi dhe sensibilizimi, duke pranuar se ky komunitet përballet me sfida të mëdha.

Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova tha se romët, historikisht dhe kulturisht janë pjesë e pandashme e shtetit dhe shoqërisë.

“Shteti ynë, në aspekt formal-ligjor, është udhëheqës në garantimin e të drejtave të pakicave, brenda kornizave rajonale dhe evropiane. Por, jeta reale e romëve është larg nga këto garantime ligjore. 8 Prilli është dita e duhur për të matur dhe rishikuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë romë, në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet. Njëherë duhet të na bëhet e qartë se nuk mjafton të referohemi vetëm tek Shuto Orizari, por duhet të sigurojmë një jetë dinjitoze për romët, kudo që ata ndodhen”, tha Siljanovska Davkova.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi thotë se komuniteti rom është një celulë e pandshme e kësaj shoqërie, me të njëjtin dinjitet, me të njëjtat të drejta dhe me të njëjtën vlerë si çdo qytetar tjetër.

“Megjithatë, nuk do të ishte e sinqertë ose do të dukej si vetëmashtrim nëse pretendojmë se kjo barazi reflektohet plotësisht. Përkundër përparimeve në legjislacion dhe në politika publike, shumë qytetarë romë ende përballen me pengesa ose diskriminim për qasje në arsim, në punësim dhe në shërbime të tjera bazë, gjë që paraqet provë serioze të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe barazisë. Pa romët, shoqëria nuk është e plotë dhe institucionet nuk janë të drejta”, tha Gashi.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se komuniteti rom nuk është “tjetri” por është pjesë e historisë, kulturës dhe së ardhmes së vendit.

“Kjo nuk është vetëm një betejë e institucioneve, por një përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve. Ndryshimi fillon në përditshmëri – në mënyrën si e shohim njëri-tjetrin, në respektin që japim dhe në mbështetjen që ofrojmë. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri ku çdo njeri do të ndihet i pranuar, i vlerësuar dhe i barabartë”, tha Mickoski.

Kjo ditë shënohet me organizime të ndryshme në mbarë vendin.

Në këtë datë në vitin 1971 në Londër filloi Kongresi i parë i Romëve. Me këtë rast 10 vite më vonë Kombet e Bashkuara e shpallën 8 prillin Ditë Ndërkombëtare të Romëve me qëllim që të nxitet afirmimi i kulturës rome por edhe të ngritët vetëdija me problemet që ballafaqohet kjo bashkësi.

Edhe pse kudo në botë organizohen aktivitete të ndryshme ato ende ballafaqohen me diskriminime në sfera të ndryshme. Në Maqedoninë e Veriut, alarmante është gjendja me fëmijët në rrugë dhe arsimimi i tyre.