Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, RMV e shënon me lojëra, argëtim dhe aktivitete kundër dhunës dhe bullizmit

Sot në mbarë botën shënohet 1 Qershori, dita e fëmijëve. Kjo është dita kur fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojra festive. Sot jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve, shkruan Portalb.mk.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjitha qytetet e vendit dhe më gjerë.

Me rastin e 1 Qershorit-Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qendra e Kulturës Tetovë organizon punëtorinë artistike “Street Art”, në koordinim me shkollat fillore dhe të mesme.

Në këtë aktivitet janë të ftuar të gjithë nxënësit entuziastë të artit, të cilët përmes imagjinatës dhe dhuntive të tyre do të kenë mundësinë të shprehin talentin e tyre dhe të festojnë këtë ditë të veçantë kushtuar fëmijëve.

Komuna e Çairit sot do të hapë edicionin e ri të manifestimit tradicional “Vera Kulturore Çair 2026”, i cili do të zgjasë një muaj dhe do të ofrojë një program të pasur kushtuar kulturës, artit dhe traditës.

Hapja do të shënohet me programin treditor “Ditët e Fëmijëve”, që do të mbahet nga 1 deri më 3 qershor në disa lokacione – në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në Sheshin Skënderbeu dhe në oborrin e Xhamisë së Murat Pashës.