Dita e OKB-së u shënua me dialog mbi dezinformatat dhe diskriminimin

Dezinformatat, lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes ishin pjesë e temave të Konferencës Vjetore të Kombeve të Bashkuara e cila u mbajt sot në Shkup nën titullin “Liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë”, transmeton Portalb.mk.

Konferenca synon të promovojë dialogun për të gjetur mënyra më të mira për t’u marrë me diskriminimin, dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes ndërmjet përfaqësuesve të Parlamentit, Qeverisë, institucioneve të të drejtave të njeriut, komunitetit akademik, punonjësve të medias, shoqërisë civile, OKB-së dhe partnerët që mbështesin vendin në përparimin e tij të përshpejtuar drejt objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, në konferencë theksoi se së bashku me sigurinë kibernetike, këto çështje janë pjesë e kërcënimeve dhe rreziqeve hibride me të cilat ballafaqohemi të gjithë.

“ Gënjeshtrat që demonizojnë një grup të caktuar shoqëror dhe që ndahen në hapësirën virtuale shpesh rezultojnë në dëmtimin e hapësirës fizike…Ky aspekt i problemit duhet të jetë motivi ynë kryesor për t’u përballur me këtë lloj rreziku”, tha Grkovska.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska theksoi se në një kohë kur inteligjenca artificiale është zhvilluar dhe në një kohë kur zhvillimi teknologjik është në rritje, shoqëria ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të jetuar në frymën e tolerancës dhe pranimit.

“Zgjidhja kryesore është puna me fëmijët që në moshë të vogël, pra ndryshimi i mënyrës së edukimit. Dhe këtu nuk e kam parasysh ndryshimin e vlerave tona tradicionale, as edukimin që i kundërshton vlerat familjare, por edukimin që sjell pranim, përkrahje dhe barazi”, tha Trençevska.

Trençevska theksoi se zgjidhjet kryesore për sfidën e diskriminimit është ngritja e vetëdijes dhe kultivimi i kulturës së respektit që në moshë të re.