Nxemje franko-gjermane e debatit për zgjerimin – “Lundrim në det të hapur”

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Me publikimin e raportit franko-gjerman të dymbëdhjetë ekspertëve me titull “Lundrim në det të hapur: Zgjerimi i BE-së për shekullin 21”, fillon të nxehet diskutimi për zgjerimin e ardhshëm dhe reformat e Bashkimit. Edhe pse është theksuar qartë se këto nuk janë qëndrimet qeveritare, vetë fakti se bëhet fjalë për ekspertë franko-gjermanë me renome i jep një peshë të rëndësishme.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Janë caktuar tre qëllime të reformës së BE-së:

  • Rritja e kapacitetit për veprim;
  • Përforcimi i sundimit të së drejtës dhe legjitimitetit demokratik;
  • Përgatitja e institucioneve për zgjerim.

Që në fillim duhet theksuar se propozimet e bëra nga Grupi janë ambicioze dhe nënkuptojnë ndryshime të mëdha në Bashkim, me atë që janë dhënë alternativa nëse nuk ka marrëveshje. Propozohen edhe më shumë opsione për rregullimin ligjor të asaj për çka është rënë dakord – nga ndryshimi i marrëveshjeve themeluese me një Konventë e deri në një marrëveshje shtesë për reformimin e atyre shteteve që do të jenë të gatshme për këtë. Opsioni i fundit lidhet në mënyrë të pashmangshme me deklaratën e kryeministrit holandez Rutte të dhënë dy-tre vite më parë – “ose respektim i sundimit të së drejtës, ose të krijojmë një BE të re”.

Sundimi i së drejtëssërish në vend të parë

“Një shtet që nuk e respekton sundimin e së drejtës nuk mund të jetë pjesë e Tregut të vetëm dhe nuk mund të pranojë fonde nga BE-ja”

Në Raport sundimi i të drejtës është primar. Me ndryshimin e propozuar të dispozitës së Marrëveshjeve themeluese (neni 7) do të lehtësohej procedura për pezullimin e një shteti anëtar i cili i shkel vlerat e BE-së – Neni 2 i BE-së (respektimi i dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimi i së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë këtu edhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave).

Megjithatë, edhe autorët janë të vetëdijshëm se shtetet anëtare ekzistuese vështirë se do të pajtohen për këtë ndryshim, kështu që në atë rast mbeten mekanizmat e tjerë të propozuar – vendosja e kushtëzimit në aktet që kanë të bëjnë me buxhetin e BE-së dhe të gjitha fondet e BE-së, sipas shembullit me Fondet “Gjenerata e Re”.

Reformat institucionale

“Reformat institucionale që BE-ja të jetë gati për zgjerim do të duhet të gjejnë një ekuilibër delikat midis kapacitetit të shtuar për veprim, fuqisë dhe ndikimit të shteteve anëtare të vogla, të mesme dhe të mëdha, legjitimitetit demokratik të vendimmarrjes dhe mbrojtjes së interesave kombëtare legjitime”.

Me sa duket me shtrirje më të gjerë është propozimi që gjithçka që tani vendoset me konsensus të kalojë në një shumicë të kualifikuar, përveç “vendimeve kushtetuese” – ndryshimi i marrëveshjeve themeluese, pranimi i anëtarëve të rinj, ndryshimi i marrëveshjeve themeluese ose adaptimi i institucioneve. Këshilli do të votonte sipas rregullave të reja për formimin e shumicës. Propozohet që Këshilli të funksionojë në kuintete në vend të tresheve të presidencave. Numri i deputetëve në Parlamentin Evropian do të mbetet maksimum 751 (me një rishpërndarje të vendeve).

Propozimi është që të ulet numri i anëtarëve të KE-së në 2/3 e anëtarëve ose të krijohet një strukturë hierarkike (e thjeshtuar – të ketë një komisioner me të drejtë vote dhe një komisioner pa të drejtë vote) ose të ketë ndryshim në mes të mandatit. Për forcimin e legjitimitetit demokratik propozohet harmonizimi i rregullave zgjedhore për zgjedhjen e eurodeputetëve dhe ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Komisionit.

Është propozuar rritje e Buxhetit të BE-së që të mund të financohen nevojat e shtuara financiare.

Integrim i diferencuar

Integrimi i diferencuar i propozuar në katër rrathë koncentrikë është paraqitur në ilustrimin në vazhdim.

Integrimi i diferencuar i propozuar në katër rrathë koncentrikë është paraqitur në ilustrimin në vazhdim.
Integrimi i diferencuar i propozuar në katër rrathë koncentrikë është paraqitur në ilustrimin në vazhdim.

Integrimi i diferencuar duhet parë bashkë me propozimet për reformën institucionale. Pyetja kryesore do të jetë nëse dhe nga cilat të drejta do të duan të heqin dorë vendet anëtare aktuale, përfshirë këtu edhe të drejtën e vetos, por edhe nëse janë të gatshme të ndajnë më shumë para për funksionimin e Bashkimit.

Zgjerimi

“BE-ja mund të përballet me momentin e saj të së vërtetës: nëse përparimi për 27 anëtarët nuk është i mundur, është reciprokisht e dobishme për të gjithë është që të gjejnë një rrugë drejt niveleve të ndryshme të integrimit ose ndonjë formë më të lirë bashkimi për shtetet anëtare të reja ose ato aktuale.”

Propozohet që BE-ja deri në vitin 2030 të jetë gati për zgjerim, ndërsa deri më atëherë kandidatët t’i plotësojnë kushtet për anëtarësim. Preferohet që pranimi i anëtarëve të rinj të bëhet sipas parimit “regata” – jo të gjithë njëherësh, por në grupe më të vogla.

Parimet e zgjerimit janë janë të radhitura si vijon: 1. “Së pari themelet” 2. Gjeopolitike; 3. Zgjidhje e konflikteve; 4. Ndihmë shtesë teknike dhe financiare, 5. Legjitimitet demokratik.

Është interesant fakti se tek parimi 3-Zgjidhja e konflikteve, propozohen parimet që shtetet që janë në luftë afatgjatë ose mosmarrëveshje afatgjata territoriale të mos mund të anëtarësohen në BE. Kjo sigurisht që prek më shumë Ukrainën, por është fakt se të gjithë kanë mosmarrëveshje territoriale, përveç Maqedonisë. Nuk ka asnjë formulim “mosmarrëveshje dypalëshe” ose mosmarrëveshje “sui generis”. Me fjalë të tjera, mosmarrëveshja me Bullgarinë nuk mund të klasifikohet në kushtet skualifikuese të këtij Raporti.

Sa i përket dinamikës së procesit përsëriten parimet e barazisë dhe reverzibilitetit nga metodologjia e re.

Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që është propozuar zbatimi i shumicës së kualifikuar për të gjitha hapat në procesin e anëtarësimit, përveç atij të fundit – pranimit. Edhe më e volitshme për ne është se kjo propozohet të zbatohet para zgjedhjeve në BE, bashkë me disa masa të tjera.

Për sa i përket dinamikës së mëtejshme – propozimi është që reformat institucionale të kryhen në mandatin e ri të Parlamentit Evropian dhe Komisionit (2024-2029), integrimi në faza i anëtarëve të rinj të jetë në Agjendën Strategjike të BE-së 2024- 2029, ndërsa financiarisht të hyjë në negociatat për buxhetin e ri shumëvjeçar të Bashkimit në vitin 2028.