Me mjete nga buxheti do të bëhet studimi për zgjidhjen e problemit me kromin gjashtëvalent në Jegunovc

Me rebalancin e buxhetit, që u miratua në seancën e djeshme të qeverisë dhe të cilin Kuvendi i RMV-së duhet ta miraton, do të ndahen mjete financiare për zgjidhje të përhershme të problemit me deponinë industriale në Jegunovc, njofton Ministria e Financave. Në këtë lokacion aktualisht ruhen 850.000 tonelata mbeturina industriale nga funksionimi i fabrikës “Jugohrome”, ndërsa ndër mbetjet është edhe kromi i rrezikshëm gjashtëvalent, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe, ky vendim i qeverisë vjen pas diskutimit në Komisionin parlamentar për financimit dhe Buxhetit, ku më 2 korrik u diskutuan amendamentet e paraqitura nga deputetët për propozim rebalancin e buxhetit për vitin 2022.

Amendamentin për zgjidhjen e problemit me deponinë industriale në Jegunovc, në Kuvendin e RMV-së e kanë dorëzuar deputetët e VMRO-DPMNE-së: Gordana Siljanoska Dafkova, Velika Stojkova Serafimovska, Mirçe Axhioski dhe Toni Jarevski.

Në seancën e komisionit të mbajtur më 2 korrik, deputeti Toni Jarevski sqaroi se me amendamentin propozohet që nga buxheti i shtetit të sigurohen mjete në vlerë prej 7,5 milionë denarë për përgatitjen e studimit për zgjidhje të përhershme të problemit me deponinë industrial në Jegunovc, me qëllim të mbrojtjes së burimit të Rashçes.

Qeveria u pajtua me këtë amendament me tekst të modifikuar që u miratua njëzëri në seancën dëgjimore komisionere, ndërsa mjetet e planifikuara për studimin do t’i pranojë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor pas miratimit të rebalancit të buxhetit në Kuvendin e RMV-së.

Portalb.mk dhe Meta.mk në disa raste, gjatë muajve të kaluar, ka shkruar për problemin me deponinë industriale në Jegunovc. Nga e gjithë deponia me një sipërfaqe prej 80.000 metrash katrorë, vetëm 11.000 metra katrorë janë të mbuluar me një shtresë mbrojtëse, e cila duhet të parandalojë depërtimin e kimikateve të rrezikshme në ujërat nëntokësore. Vlerësohet se në atë lokacion ka rreth 7.500 tonelata krom gjashtëvalent, që është një substancë kancerogjene dhe e rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor.

Kromi gjashtëvalent nga deponia “Jugohrom” në Jegunovc mund të jetë rrezik edhe për burimin Rashçe, nga i cili furnizohet me ujë të pijshëm pothuajse i gjithë Shkupi. Përzierja e ujërave nëntokësore, të kontaminuara me mbetjet e deponiat dhe ujërave të masivit Gjeden, i cili furnizon kryeqytetin me ujë të pastër, është regjistruar si një rrezik potencial qysh para dy dekadash në hulumtimin e Drejtorisë për Hidrometeorologji.

Prania e kromit gjashtëvalent në ujërat që gravitojnë në drejtim të burimit të Rashçes është konfirmuar edhe në hulumtimin “Origjina e ujërave të burimit Rashçe dhe aspektet e mbrojtjes së tyre”, nga një grup profesorësh nga Fakulteti Teknologjik-Metalurgjik në Shkup, që u botua në vitin 2019 përmes Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).

Ndryshe, për të kontrolluar shkarkimet nga deponia industriale në Jegunovc, në vitin 2003 është ndërtuar sistemi i kullimit (drenazhimit), me ç’rast shkarkimi nga deponia mblidhet me stacione parapompuese dhe përmes tubacioneve bartet në impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, që gjendet në rrethin e fabrikës “Jugohrom”.

Ky do të ishte kushti ideal që duhet të parandalonte ndotjen e ujit nga deponia, por Meta.mk gjatë dimrit të kaluari shte në terren në Jegunovc dhe pa se uji me ngjyrën karakteristike të verdhë-portokalli dhe të kuqe të errët mund të shihet pranë stacionit të pompimit në deponi, që derdhet drejtpërdrejt në lumin Vardar. Në lokacion ndihet një erë e pakëndshme, ndërsa bimët që kanë ra në kontakt me ujin e ngjyrosur kanë ngordhur prej kohësh. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në “Jugohrom” është duke punuar, por jo me kapacitet të plotë për të trajtuar shkarkimet nga deponia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button