Diplomacia paraqet një modus të rëndësishëm për zbutjen dhe kapwrcimin e tensioneve dhe konflikteve mes shteteve, gjegjësisht për krijimin e një rendi të jetueshëm rajonal dhe global. Një prej formave të kësaj veprimtarie paqendërtuese është edhe ajo e konferencave (conference diplomacy) që përfaqëson menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare përmes takimeve shumëpalëshe (multilaterale). Ndryshe nga diplomacia tradicionale dypalëshe, ku dy shtete negociojnë privatisht, diplomacia e konferencave përfshin një numër të madh aktorësh që mblidhen në një forum të përbashkët për të adresuar sfida globale. Karakteristikat e këtyre takimeve janë: (1) bisedimet më pak formale, bisedat e drejtpërdrejta, (2) networkingu, mundësitë për takime dypalëshe “anash” konferencës kryesore, (3) soft power, shteti që pret konferencën fiton prestigj dhe ndikim ndërkombëtar. Samite të tilla janë Forumi Ekonomik i Davosit, Konferenca e Sigurisë e Munihut, ajo e Sharm el-Sheikhut, Shangri-La Dialogue e Singaporit etj.
Një nga destinacionet e kësaj kategorie të diplomacisë publike është edhe Antalia, gjegjësish Forumu Diplomatik i Antalisë (ADF) që këtë vit, 17-19 prill, mbahet për të pestën herë, nën temën “Projektimi i së ardhmes dhe menaxhimi i pasigurive”. Në edicionin e vitit 2026, forumi priti përfaqësues nga mbi 155 shtete, me 5000 pjesëmarrës, duke përfshirë më shumë se 20 krerë shtetesh dhe mbi 60 ministra, gjë që e bën atë një rival serioz për forume si ai i Mynihut apo Davosi. Pjesëmarrësit nga Afrika dhe Europa përbëjnë pothuajse gjysmën e krerëve të shteteve që morën pjesë, ndërsa ministrat e jashtëm ishin nga Afrika: rreth 40%, Europa: 35%, Azia: 22%.
Në dokumentet zyrtare të forumit, tema u artikulua si më poshtë: “Vazhdimësia e konflikteve të pazgjidhura, thellimi i polarizimit dhe shtimi i konkurrencës strategjike vazhdojnë të prekin miliona njerëz në mbarë botën. Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, dialogut dhe solidaritetit është i një rëndësie kritike për të kapërcyer këto sfida dhe për të lëvizur drejt një sistemi ndërkombëtar më gjithëpërfshirës, të drejtë dhe efektiv.” Pra në kohën kur bota përballet me një anarki apo galimatias, vija e diplomacisë vazhdon të ruajë rëndësinë e vet, sepse të gjitha konfliktet në histori kanë përfunduar me një marrëveshje. Ndër pjesëmarrësit më me nam në këtë event treditor ishin Ilon Pappe (politolog), Ali Aslan (mjeshtër i ceremonive), Corneliu Bjola (Oxford, profesor i diplomacisë digjitale), David Hearst (Middle East Eye), Sergei Lavrov, Princ Musar (presidente e Sllovenisë) etj.
Në Antalinë e brenduar për turizëm u rrahën tema politike, ekonomike, diplomatike që tangojnë gjithë botën si kriza e Lindjes së Mesme që mund të shpie në një kataklizmë planetare, konfliktet rajonale, kërkesa e rritur për energji, energjia e rinovueshme, kriza energjetike dhe mënyrat e menaxhimit të saj, neutraliteti i karbonit 2053, energjia e erës, ajo diellore e të ngjashme. Në këtë drejtim më të prekura janë vendet që varen 100 % nga importi i karburanteve, si Sllovenia, siç ceku ministri Kumer.
Çështje tjetër që u trajtua ishte edhe ajo e ndërmarrjeve militare dhe përpjekjeve për zgjidhje paqësore. Ambasadori amerikan Barrack potencoi se ndërhyrjet ushtarake thellojnë ciklet e urrejtjes në afat të gjatë dhe politikat e Izraelit që nga viti 1948 nuk kanë prodhuar zgjidhje të qëndrueshme, të cilat kërkojnë një qasje të bazuar te mirëqenia dhe zhvillimi. Ndërkohë formula e rrugëdaljes është “dhënia fund vrasjeve të pakuptimta” (senseless killings). Presidenti kazak Tokayev detektoi se struktura aktuale e OKB-së, gjegjësisht Këshilli i Sigurimit, janë jofunksionale, se duhen ndryshime.
Një sesion iu kushtua edhe skolasticidit që po ndodh në Gaza, shkatërrimin sistematik të arsimit dhe institucioneve arsimore. Ndërprerja e qasjes në arsim në Palestinë ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në zhvillimin individual, por edhe në qëndrueshmërinë shoqërore, rimëkëmbjen ekonomike dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme. Për fëmijët që mbartin plagët e luftës, rivendosja e mjediseve të sigurta të të nxënit, forcimi i mekanizmave të mbështetjes psikosociale dhe sigurimi i vazhdimësisë në arsim paraqiten si prioritete për të ardhmen e Palestinës.
Në sesion e titulluar “Gjeopolitika e inteligjencës artificiale në një botë teknopolare” u tha se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë në zhvillim po riformësojnë pushtetin global dhe po ripërcaktojnë sovranitetin. Kontrolli mbi të dhënat, algoritmet dhe infrastrukturën digjitale tashmë ndikon në politikën ndërkombëtare po aq thellë sa territori apo forca ushtarake. Në këtë botë teknopolare, shtetet përpiqen të sigurojnë autonominë digjitale, ndërkohë që përballen me forma të reja konkurrence dhe varësie.
Në panelin “Vjelja e paqes në Ballkan: Dialogu, biznesi dhe ndërlidhja”, tezë kyç ishte ajo se dialogu, projektet infrastrukturore, siguria energjetike dhe bashkëpunimi në mbrojtje ofrojnë rrugë konkrete për të forcuar lidhjet ndërnjerëzore përtej kufijve, për të nxitur qëndrueshmërinë ekonomike dhe për të promovuar pronësinë rajonale përmes forcimit të besimit. Në këtë panel u shënua tendosja në relacionin delegacioni i Serbisë-ai i BeH. Minisitri boshnjak Konakoviq e sulmoi Serbinë për shkak të krekosjes së Vuçiqit me “armatën më të fuqishme në Ballkan”, për ndërhyrjen në integritetin e Bosnjës, për mbështetje të një figure kontroverse si Dodik, për fshehje të kriminelëve të luftës, pas çkahit delegacioni serb braktisi Forumin. “Ne nuk mund të gënjejmë dhe të presion mirëbesim! Ne nuk mund ta duam njëri-tjetrin pas asaj që ka ndodhur në BeH.” – ishin fjalët goditëse të përfaqësuesit boshnjak.
Ngjarjet e tilla të përmasave globale janë mundësi për afirmim të kauzave shtetërore dhe kombëtare. Për vendet e Ballkanit si “vulnerable landscape” në këto evente janë mundësi për komunikim, për afrim dhe hapje të faqeve të reja të historisë, për ngritje të zërit për një “rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe drejtësi”, për një botë më paqësore, më të qëndrueshme dhe shpresëdhënëse për brezat e rinj. Nga përfaqësuesit shqiptarë mbeten të regjistruara fjalët e kryeparlamentarit kosovar Konjufca: “Kur siguria kërcënohet, asgjë tjetër nuk mund të ecë përpara.”
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.