Panairi mbarëkombëtar i librit akademik në Shqipëri mbledh mbi 40 institucione, pjesëmarrëse edhe RMV-ja
Nga 22 deri më 24 prill 2026, në hapsirat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të mbahet Panairi V mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor. Panairi synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare si dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare. Tri ditët e panairit do të mundësojnë jo vetëm ekspozimin e librit në stenda të dedikuara për të gjitha institucionet pjesëmarrëse, por edhe promovime të arritjeve në nivel akademik përmes paraqitjes së botimeve më të reja, shkruan Portalb.mk.
Ky panair do të mbledhë rreth 40 institucione nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa gjatë tri ditëve pritet të zhvillohen edhe mbi 100 promovime të botimeve të reja, transmeton Portalb.mk.
Në panair do të marrin pjesë akademi shkencash, institute kërkimore, universitete, qendra shkencore dhe shtëpi botuese nga hapësira mbarëshqiptare.
Nga Shqipëria do të jenë të pranishme Akademia e Shkencave e Shqipërisë, institutet dhe qendrat e saj shkencore, disa universitete publike dhe private, si dhe një sërë shtëpish botuese të njohura.
Nga Kosova do të marrin pjesë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, institute shkencore, Agjencia Shtetërore e Arkivave, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB.
Nga Maqedonia e Veriut do të përfaqësohen Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.
Ndërsa nga Mali i Zi do të marrë pjesë Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini.
Panairi bashkorganizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.