Dinjitetin e humbëm kur mësuesin e quajtëm: “Me nder me thënë”
Njerëzit e moshës sime e kanë shijuar katrahurën e shpërbërjes së Jugosllavisë titiste, kur u vampirizua millosheviqizmi dhe ne u gjendëm në udhëkryqin e dy mundësive: pajtimit me robërinë ose mbrojtjes nga projektet ogurzeza gjenocidale, të armiqve të përbetuar të racës sonë. Alternativa e parë nënkuptonte asimilimin dhe shkrirjen e dhunshme në detin sllav, kurse e dyta sakrificën kombëtare dhe shpresën e fitimit të lirisë së ëndërruar prej prindërve dhe gjyshërve tanë.
Të mëpastajmen e dinë dhe brezat e mëvonshëm. U bënë tri luftëra të përgjakshme, njëra prej të cilave rezultoi me Kosovën shtet me pavarësi të brishtë, kurse dy të tjerat me marrëveshje të monitoruara nga fuqitë e mëdha, që garantuan të drejtat dhe lirinë e plotë në sinoret e trashëguara nga stërgjyshërit, po që nuk u përmbyllën me kohë për shkak të paaftësisë së prijësve qorra dhe prirjeve për kacagjelime vetëshkatërruese, që na ndjekin kush e di prej kur.
Kur kthen njeriu kokën prapa dhe kujton kohërat në fjalë i imponohen vetvetishëm një mori pyetjesh, përgjigjet e të cilave duken të pabesueshme, madje absurde, sepse mendja e esëllt e ka të vështirë t’i kuptojë ligësitë që ia bëjmë vetvetes, sepse nuk ekziston një etni tjetër si kjo fatzeza jonë, bijtë e së cilës tjetërsohen kaq shpejt dhe unikatshëm në atë që nuk kanë qenë e nuk mund të jenë, pikërisht atëherë kur duhet të përparojnë e të zënë hapin me botën e qytetëruar.
Në vitet e ’80-ta, fjala vjen, kur trysnia mbi kurrizin tonë preku kufijtë e gjenocidit; kur burgjet qenë mbushur ding me të rinj shqiptarë, të dënuar vetëm për shkak se kërkonin zëshëm të drejtat e mohuara individuale e kolektive; kur shkelej me tanke rinia e revoltuar studentore; kur helmohej me gazra lufte ardhmëria e kombit; kur përjashtoheshin nga puna kuadrot me bosht kurrizor; kur dyert e shpërnguljes nga sinoret e të parëve i bëri të pashmangshme regjimi mesjetar i Kasapit të Ballkanit; kur shërbëtorët dhe mashat e sistemit të hurit e litarit ndiqnin zagarshëm njerëzit me kod etnie; kur mbylleshin institucione arsimore e kulturore; kur nuk lejohej pagëyimi i foshnjave me emra të bukur shqip; kur eksploatohej djersa e minatorëve, bujqëve dhe blegtorëve shqiptarë; kur ne, më mirë se sot, i njihnim miqtë dhe ata armiqtë që na donin të vdekur; kur i përbuznim peshqeshet e danajve; kur kishim një ëndërr të përbashkët dhe një kod etnie; kur kishim unitet brendashqiptar; kur kishim dashni për vendin dhe kombin; kur kishim respekt për gjuhën e përbashkët dhe e kultivonim me dashuri atë; kur i nderonim personalitetet e së shkuarës dhe heronjtë e vatanit; kur kishim zjarrin e emancipimit dhe vetëdijen e kushjam-it; kur kishim gatishmërinë e sakrificës dalëzotëse të dinjitetit; kur kishim dëshirë të jetojmë e të vdesim ku na ka rënur koka dhe veçanërisht: kur kishim respekt për mbretin e mbretërve – MËSUESIN, të cilit, në gjendje plastelini, ia besojmë për t’u dhënë formë njerëzish të urtë më të shenjtit që kemi: fëmijët, nipërit dhe mbesat tona.
Nuk e di ç’mendojnë dhe me çfarë dioptrie e shohin të tjerët këtë zaman, po unë do të ikë nga kjo botë me bindjen se katandisja dhe tëhuajsimi jonë zuri fill në momentin kur zuzarët shqipfolës emrin MËSUES e zëvendësuan me shprehjen fyese: “me nder me thënë”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.