Faton Kryeziu ekspozoi pikturat me përjetimet e tij para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë
Mbrëmë në Galerinë “Gocat” në Tiranë u hap ekspozita me “Jeta dhe Vdekja/Life and Death” e artistit Faton Kryeziu, shkruan Portalb.mk.
Në këtë ekspozitë u paraqiten gjithsej 25 piktura të formatit të madh të punuar në teknikën vaj në pëlhurë.
Artisti Faton Kryeziu për Portalb theksoi në Tiranë e dërgon tokën e djegur të Kosovës, përjetimet e tij para, gjatë dhe pas luftës. Pra, tokën që ka parë të digjet dhe atë të njëjtën si ka lulëzuar pastaj.
“Tematika siç e thash, kam sjellë vendin tim, Kosovën e djegur dhe po të njëjtën në pranverë duke lulëzuar, pra si një vrojtues i mirë i asaj që kam përjetuar, se çka më saktë i ka ndodhur vendit në të cilin jetoj, përjetimet e mia për atë çfarë kam vrojtuar në natyrën që më ka rrethuar”, tha Kryeziu.
Se cilat janë përjetimet e piktorit në luftën e Kosovës ai edhe më tej shtoi se përjetimi i tij ka qenë shumë i vështirë, ka qenë student në Prishtinë, dhe jam është kthyer në Prizren me autobusin e fundit, sepse atë natë pritej të filloheshin bombardimet e para.
“Gjatë rrugës kam parë tym e zjarre gjithandej. Në Prizren kam qëndruar për tre ditë gjatë bombardimeve. Kam përjetuar shumë shqetësime të mëdha, frikë gjithashtu. Na dëbuan për në Shqipëri, në Tiranë qëndrova tre muaj si refugjatë. Pastaj kur jam kthyer kam parë që edhe në shtëpitë e lanuna, të harruara kishin qelë lule, fushat e mbuluara me barë, të virgjëra gjithçka, dhe pemët ishin të stërmbushura me fruta, kam parë disa dallime para dhe pas luftës që ende i kam të freskëta në mendje”, tha Kryeziu.

Ai gjithashtu tha se “historia pothuajse është harruar, nganjëherë mendoj se është mirë që është harruar, nganjëherë mendoj që është herët, por sidoçoftë, mendoj që janë artistët, poetët e të tjerët që duhet ta rikujtojnë!
Se kur pritet që kjo ekspozite te prezantohet edhe në Shkup Kryeziu edhe më tej tha:
“Unë kam pas ekspozitë personale në Shkup, para disa viteve, dhe një tjetër e kam pas edhe me herët në Pallatin e Kulturës në Tetovë, por me dëshirë do e kisha bërë edhe një tjetër në Galerinë çifte Hamam, ose Galeria e Artit Bashkëkohorë”.
Kuratorja e ekspozitës Suzana Varvarica Kuka studiuese arti, për Portalb tha se në qëllimin e kësaj ekspozite këta tre portrete nuk janë inaktivë, nuk janë thjesht një ekspozim i zakonshëm, as nuk ekspozohen për të treguar aftësitë krijuese të artistit. Ata vijnë të tillë për ta shpërthyer plotësisht idenë e saj të cilësuar “Life and Death/Jeta dhe Vdekja”.
“Faton Kryeziu është artist i brezit që e gëzon pavarësinë e kombit të vet. Ai e ka nxitur imagjinatën dhe ka pikturuar dhjetëra tablo dy dimensionale, me përmasa të mëdha, të cilat nuk referojnë afërsi figurative tregimtare apo përmbajtje përshkruese ndaj këtij fenomeni. Ai nuk e trajton binomin “Life and Death” i përqendruar në kahet e tyre, as tek bashkimi fizik ndërmjet njërës dhe tjetrës”, tha Varvarica Kuka.
Ajo theksoi se artisti ka ndërtuar situata përmbajtësore që shprehin pritshmëritë që i paraprinë zhvillimit të këtij binomi.
“Edhe pse ngjyrat dhe kontrastet janë shprehi të dritës dhe errësirës së tonaliteteve mbi hapësira të gjera, ku sundon peizazhi, ka zgjedhur ta pikturojë fenomenin përmes një lloj qetësie të re lëvruese, e gjetur dhe e rrënjosur në vetëdijen e Faton Kryeziu”, tha Varvarica Kuka.

Atmosfera e ekspozitës është një imazh i madh që përpos zbulimit të cikleve, të qëllimit të titullit, të subjekteve dhe temave zbulojmë se Faton Kryeziu është artist i fokusuar te ngjyrat, të cilat përmes mendimit vizatimor e tensionues krijojnë subjektet dhe teksturat. Gjatë procesit ekzekutues apo krijues ai është në kërkim të një diçkaje të re me imazhe të ndryshme. Ai kërkon t’i japë lëvizje dhe gjallëri çdo imazhi të ri. E krijon duke qenë ekspresiv, i lexueshëm figurativisht, tërheqës, befasues dhe emocionues.
