Emigracioni i shqiptarëve drejt Bashkimit Europian vijon me ritme të larta, duke kaluar edhe valët e forta të largimeve të dekadave të mëparshme, raporton Euronews. Të dhënat e Eurostat tregojnë se nga viti 2008 deri në 2025, vendet e BE-së kanë dhënë mbi 1 milion e 82 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë.
Rreth 510 mijë leje u dhanë në periudhën 2008-2016, ndërsa në nëntë vitet e fundit shifra arriti në 573 mijë, duke tejkaluar dekadën e mëparshme.
Në fillim, Italia dhe Greqia ishin destinacionet kryesore, por vitet e fundit harta e emigracionit është zgjeruar. Gjermania po fiton gjithnjë e më shumë peshë, veçanërisht për tërheqjen e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Në total, që nga viti 2008, Italia ka dhënë rreth 500 mijë leje qëndrimi, Greqia 311 mijë dhe Gjermania 124 mijë. Vetëm gjatë vitit 2025 u dhanë mbi 68 mijë leje të reja, 4% më shumë se një vit më parë. Gjermania kaloi për herë të parë Greqinë, me rreth 17 mijë leje, pas Italisë me 31.7 mijë.
Pjesa më e madhe e lejeve në 2025, rreth 46%, u dha për arsye familjare, ndërsa 29% për punësim.