“Dhuratë e papritur” nën regjinë e Merita Çegranit pjesë e “Manaki Brother”

Filmi me metrazh të shkurtër “Dhurata e papritur,” është përzgjedhur për programin konkurrues studentor të edicionit të 44-të të International Cinematographers’ Film Festival – Manaki Brothers – festivali i parë në botë kushtuar krijimit vizual dhe artistik të kinematografëve, i cili do të zhvillohet nga data 23-29 shtator 2023, ku edhe do jetë premiera e filmit, njofton Portalb.mk.

Fimi “Dhurata e papritur” zgjat 10 minuta dhe  është realizuar nga Merita Çegrani për sa i përket regjisë dhe skenarit me ndihmën e Egzon Kryeziut, ndërsa luajnë: Zarije Jonuzi Çeliku në rolin e Elës, Sami Mustafa në rolin e Jonit, Blerim Dardhishta në rolin e Artanit, Amernis Nokshiqi në rolin e Petrinës, Rrahim Ramadani në rolin e Altinit, Ela Minahi në rolin e Elizës, Mert Begzati në rolin e Petritit, Rubina Saliu në rolin e Tarës.

Fotografi nga seti i xhirimit
Fotografi nga seti i xhirimit

Regjisorja Merita Çegrani edhe pse studente e diplomuar në montazhë ka vendosur ta sprovoj veten në një fushë të re por jo të panjohur për të,  në të ardhmen mbase i shtohet si profesion. Ajo për Portalbin rreth filmit shprehet:’’Pas filmit me metrazh të shkurtër fshihet një vit e gjysmë punë intensive e mbushur me dashuri, pasion, guxim, përkushtim, dedikim dhe shumë sfida. Unë, si një studente në departamentit e Montazhës së Filmit dhe të TV, bashkë me kolegun tim, Agon Ismajli, student në departamentin e kamerës, në diskutim me mentorët tanë të mrekullueshëm, vendosëm që të sjellim një projekt të përbashkët diplomimi, të cilin do e punonim ashtu siç ne donim, pa kompromis. Filmi është diskutuar me njerëz mendje ndritur, është xhiruar me kushte të larta kinematografike dhe është punuar me aktorë dhe ekip të cilët kanë bërë punë fantastike. Është punuar me aktorë profesionist dhe fëmijë, për të cilët jam mirënjohëse dhe e lumtur që kanë qenë pjesë e këtij projekti. Kanë punuar një ekip i madh, edhe pse ka qenë film me vetëfinancim’’- thotë ajo.

Sa i përket festivalit që e ka selektuar këtë film sivjet, pra Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Kinematografëve “Vëllezërit MANAKI” është festivali i parë dhe më i vjetër i filmit kushtuar krijimtarisë së kineastëve. Filloi në vitin 1979 me iniciativën e njërit prej themeluesve kryesorë – MFPA / Shoqata e Profesionistëve të Filmit të Maqedonisë. Ai u organizua gjithashtu me Kinotekën e Maqedonisë dhe qytetin pritës të Manastirit, i krijuar për nder dhe i frymëzuar nga opusi i bollshëm fotografik/kinematografik i vëllezërve MANAKI: Yanaki (1878-1954) dhe Milton (1880-1964).

“Ajo çka mund të them për fund, nuk është fare e lehtë të jesh studente në vendin tonë, por me pak guxim, përkrahje dhe njerëz të mirë, mund të arrihen gjëra të bukura.

Ky projekt shpresojmë të hedhë dritë mbi disa nga elementët më të errët të filmit, ndërkohë që do t’i lejojë shikuesit të përjetojnë dhe projektojnë interpretimet dhe përvojat personale.

Përtej çdo sfide të rëndë, ne po iu sjellim një film i cili përtej gjithçkaje do iu sjell emocion. Neve kaq na mjafton, ndërsa ju shijojeni!’’- përfundon Merita.

 

Afishe e filmit
Afishe e filmit

Rreth filmit

Filmi flet për aktet e përdhunimit, gjykimet dhe paragjykimet që krijohen për viktimat të cilat janë pre e këtyre akteve njerëzore të shpërfytyruara që edhe më shumë e rrisin dramaticitetin kur në sajë të dhunës vjen dhe një diçka që të mba peng të atij aktit, një fëmijë i ardhur në jetë jo nga dashuria. Kështu, sekreti më i madh dhe i vetëm i Elës është djali i saj, Joni. Joni ka lindur tetë vite më parë nga një akt përdhunimi, dhe tetë vite më vonë ai kupton se nuk ka qenë i mire se arDhur në jetë. Personi që Joni e njihte për baba, kthehet në një të huaj dhe ndjen keqardhje për nënën e tij për të gjitha vështirësitë që i shkakton prezenca e tij në atë raport. Ky moment tragjik do të jetë një metamorfozë e familjes në tërësi dhe e të gjithë anëtarëve të saj mbi të cilët rëndon e vërteta dhe asesi nuk bëhet e tejkalueshme.

Nga frika e dënimit të të dashurve dhe të afërmve të saj, Ela e mbajti të fshehtë për tetë vite përdhunimin, një problem që është i dukshëm për të gjitha viktimat e përdhunimit, sado përpiqen ta fshehin. Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë.