Dha dorëheqje zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski

Zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Jovica Andovski, ka dhënë dorëheqje të cilën ia ka dorëzuar më 9 tetor kryeministrit Hristijan Mickoski ndërsa sot është depozituar në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Andovski shkruan se dorëheqjen e paraqet për arsye personale.

“Për mua ishte nder dhe përgjegjësi të isha pjesë e Qeverisë dhe të kontribuoja në avancimin e sistemit shëndetësor”, shkruan Andovski.

Kryeministri propozoi që dorëheqja e parevokueshme e Andovskit të konstatohet në seancën e parë të Kuvendit.

Andovski ishte zëvendësministër që nga fillimi i mandatit të kryeministrit Mickoski, gjatë së cilës periudhë janë ndërruar tre ministra të Shëndetësisë: Arben Taravari, Azir Aliu dhe Sasho Klekovski.

Kujtojmë se para dy javëve kryeministri paralajmëroi se së shpejti do të propozojë zëvendësministra të rinj.