Deputetët e opozitës bllokuan foltoren, Presidenti nuk mundi të flasë në Parlament

Opozita parlamentare ka bllokuar foltoren e Parlamentit ditën e sotme, në nisje të sesionit të ri parlamentar, raporton EN. Ata i kanë rënë bilbilave dhe kanë mbajtur në duar pankarta me shkrime, në të cilat pretendojnë se po u shkelen të drejtat parlamentare.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të ulen në vendet e tyre, në mënyrë që fjalën ta marrë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, fjala e të cilit ishte paralajmëruar më herët.

Begaj nuk arriti dot të mbante fjalën e tij në Parlament, pasi deputetët e opozitës nuk e liruan foltoren.

“Ndjesë Presidentit të Republikës që po i pamundësohet fjala e tij nga deputetët e opozitës”, tha Nikolla.

Kujtojmë se prej disa javësh opozita parlamentare ka bllokuar punimet normale të parlamentit. Me përmbysjen e karrigeve dhe me flakadanë.

Presidenti Bajram Begaj ka mbajtur në ambientet e Presidencës fjalën e tij. Ai ka pasur një mesazh për të gjithë deputetët ku tha se interesat partiake s’duhet të pengojnë vendin dhe demokracinë.

Begaj tha se kuvendi është vendi ku duhet të ballafaqohen palët me argumente dhe jo një arenë kundërshtarësh ku shkelen parimet.

“Pamundësia për zhvillimin e një seancë normale, më bën që këtë mesazh ta përcjellë për politikanët dhe deputetët e Shqipërisë përmes jush. Çelja e sesionit të ri të Kuvendit, ishte një mundësi e mirë që deputetët e Kuvendit të shënonin fillimin e një kthese në jetën politike të vendit tonë.

Me dashurinë për Shqipërinë, me respektin për qytetarët që ju kanë zgjedhur, me përgjegjësinë madhore që mbart detyra e përfaqësimit, ju deputetët mund dhe duhet të gjeni gjuhën e përbashkët dhe të krijoni një atmosferë ku të mbizotërojë dialogu, in teresi publik dhe interesi kombëtar. Kuvendi duhet të jetë tempulli i shpalosjes së vlerave më të mira të shoqërisë sonë ku pozita dhe opozita bashkëpunojnë për të mirën e vendit.

Kuvendi është vendi ku zhvillohet dialogu parlamentar, ku ka zhvillim të ideve dhe diskutime konstruktive mes pozitës dhe opozitës. Kuvendi është hapësira e debateve ku profesionistë të ndryshëm, media, studentë, shoqëria civile e të tjerë të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen.

Kuvendi ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentet e saj si dhe përballjen në debate me ide dhe argumente. Në kuvend duhet të kultivohet demokracia, frymëzimi për të tashmen dhe shpresa për të ardhmen! klasa politike ka për detyrë të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së parimeve, interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës!”-tha Bajram Begaj.