Demokratura

Gjatë surfimit kërkimor-akademik të këtyre ditëve na doli para një term të cilin e shkurtimisht e kemi zbërthyer në Fjalorin tonë qysh më 2009: demokratura. Shprehje frënge democrature është e formuar nga dyshja demokraci e diktaturë, që përshkruan një regjim autoritar që shfrytëzon pamjen apo dukjen e demokracisë për të fshehur natyrën e vet reale. Ky bashkim fjalësh për herë të parë është përdorur në vitet 1970 dhe 1980 për të shënuar regjimet politike të disa vendeve afrikane, që pretendonin për jetësimin e demokracisë, ndërsa vazhdonin të qeveriseshin me metoda klasike diktatoriale. Demokratura është një përkthim fjalë për fjalë i një neologjizmi të shpikur nga teoricienët e tranzicioneve demokratike gjatë viteve 1980. Definicioni i këtij termi gjendet në volumin 4 të veprës kanonike nën redaktimin e Guillermo O’Donnell, Philippe Schmitter dhe Laurence Whitehead: Transition from Authoritarian Rule (Tranziioni nga qeverisja autoritare), botuar nga Johns Hopkins University Press, Baltimore, 1986; Transiciones desde un gobierno autoritario, vëll. 4, Ed. Paidos, Buenos Aires, 1988. Ky nënlloj negativ i demokracisë si term paraqitet edhe te vepra e M. Liniger-Goumaz, La démocrature: dictature camouflée, démocratie truquée (Demokratura: diktaturë e maskuar, demokraci e rreme , Paris, L’Harmattan, 1992).

Termi në spanjishte shfaqet si “democradura” që bashkon pjesën “democra” nga democracia dhe “dura” nga dictadura (diktaturë), duke evokuar edhe ashpërsinë e represionit në regjimet diktatoriale. Shtypi perëndimor majtist e ka përdorur këtë term për të cilësuar veprimet autoritariste të pushtetit, siç ishte shembulli i regjimit të Tugjmanit në Kroaci, i cilësuar nga opozita e atij vendi si demokraturë. (Tomash, 1989: 146) I tillë është edhe regjimi aktual i Vuçiqit në Serbi që tenton të mbyllë gojën e protestave studentore me metodat më perfide.

Shprehja angleze “Potemkin Democracy” do të thotë një sistem qeverisjeje që është krijuar për t’u dukur si demokraci në sytë e jashtëm, por që në realitet nuk është i tillë. Emrin e ka marrë nga Grigorij Potemkin i cili thuhet se ndërtoi fshatra fasadë përgjatë rrugëve ku pritej të udhëtonte Katerina e Madhe. Pra kemi të bëjmë me një fasadë demokratike, ku institucionet dhe proceset duken demokratike, por në thelb mungon liria e vërtetë politike, pluralizmi dhe pjesëmarrja e ndershme.

Demokratura është sistem ku zgjedhjet mbahen rregullisht, por liritë themelore si shtypi i lirë, gjyqësori i pavarur, dhe të drejtat civile janë të kufizuara ose të nëpërkëmbura nga pushteti. Është formë demokratike në pamje, por jo në përmbajtje. Nocioni i njëjtë korrespondon me fjalën e përdorur nga “Urban Dictionary”: democratorship, që nënkupton një sistem të udhëhequr nga një “demokrator” – nga një udhëheqës që pretendon të jetë demokratik, por në realitet ushtron pushtet autoritar. Sipas Larousse, është një regjim politik që, ndonëse ka disa tipare të demokracisë, siç është sistemi shumëpartiak, drejtohet në mënyrë autoritare, madje edhe diktatoriale. Disa e kanë quajtur edhe diktokraci.

Hatem Mrad, autor i veprës Lindja e një demokrature (2024), këtë term e ndërlidh me Tunizinë, gjegjësisht me kaosin parlamentar dhe peripecitë qeveritare pas zgjedhjes së presidentit në vitin 2019. Si sinonime të demokraturës përdoren edhe termat: “demokraci joliberale” (F. Zakaria, The Rise of Illiberal Democracy, Foreign Affairs, 1997), “demokraci autoritare” (L. Jaume, L’idée de démocratie autoritaire : quelques réflexions, Jus Politicum, nr. 25), “pluralizëm i kufizuar” ose “i survejuar” (J. Linz, An Authoritarian Regime: The Case of Spain, 1964), “regjim hibrid” (sipas Democracy Index të revistës The Economist), dhe “despotizëm i butë” (A. de Tocqueville, Demokracia në Amerikë).

Të gjitha regjimet e demokraturës pretendojnë të krijojnë një lloj demokracie popullore, sovrane, në dobi të të gjithëve, pranë dhe afër shtresave të varfra, por në esencë themelojnë dhe tentojnë ruajnë regjimin e kontrollit. Ky fenomen mund të quhet devijim demokratik, zbutje e diktaturës, një përpjekje për një kompromis të balancuar mes demokracisë dhe diktaturës.

Shembuj të regjimeve të demokraturës sipas Renée Fregosi-t (2018) janë Venezuela e Chavez-it, Rusia e Putinit, Nikaragua e Daniel Ortega-s,  Hungaria e Viktor Orban-it, Egjipti i Sisit, Turqia e Erdoğanit etj. Couturier këtë neologjizëm e lidh edhe me modelin qeverisës të Donald Trumpit.

Në dallim nga totalitarizmat ose tiranitë klasike, “démocratura” nuk sulmon drejtpërdrejt idealin demokratik. Përkundrazi, ajo pretendon ta realizojë atë në një mënyrë më autentike, duke “i dhënë fjalën popullit”, “i cili mbahet i heshtur nga elitat”. (Couturier, 2016)

Kjo demokraci e aparencës apo demagogji autoritare krijon tensione shoqërore, e mban ekuilibrin social të ngrirë, nuk lejon frymimin normal dhe të shëndetshëm të individëve, të grupeve dhe të institucioneve.

Po cilat vallë janë shkaqet e lindjes dhe fuqizimit të mendësisë dhe praktikës së demokraturës? Ndër to mund të jenë frika dhe pasiguria; në shoqëri të pasigurta (luftra, krizë ekonomike, kaos social), njerëzit shpesh priren të pranojnë ose të kërkojnë udhëheqje të fortë për të pasur rend dhe stabilitet, bile edhe në kurriz të lirive. Trashëgimia historike autoritare, që prodhon kulturën e nënshtrimit ndaj autoritetit. Faktor tjetër mund të jetë edhe propaganda: lançohet teza se udhëheqësi i fortë është i domosdoshëm. Mungesa e institucionave demokratike si gjyqësori i pavarur, media e lirë, opozita. Kulti i individit ose “adhurimi” i liderit. Vënia e grupit mbi të drejtat individuale: shtypja arsyetohet me interesin e përgjithshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre