Demokracia në fokus të artit: Sonte në Tetovë hapet ekspozita, pjesëmarrës 38 artistë nga mbarë bota
Në Galerinë e Arteve në Tetovë, sonte me fillim nga ora 18:00 do të hapet ekspozita e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2025” (PIPF), ku këtë vit marrin pjesë dizajnerë dhe artistë nga 38 vende të botës, shkruan Portalb.mk.
Tema qendrore e këtij viti, “Demokracia”, e kthen festivalin në një hapësirë ndërkombëtare dialogu përmes artit vizual. Posterët e edicionit 2025 eksplorojnë mënyrën se si demokracia jetohet, sfidohet dhe riformësohet, veçanërisht në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, ku tranzicioni politik, kujtesa kolektive dhe aspiratat evropiane vazhdojnë të formësojnë peizazhin shoqëror.
Rrezeart Galica themelues dhe drejtor i festivalit për Portalb.mk tha se edicioni i pestë i PIPF dëshmon se posteri nuk është vetëm art, por një gjuhë vizuale që sfidon realitetin, ndez dialogun dhe i jep zë kohës sonë.
“Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2025” është i veçantë sepse vjen si një fazë e pjekurisë së festivalit, ku posterët nuk trajtohen më vetëm si vepra estetike, por si mjete të forta komunikimi që sfidojnë realitetin shoqëror dhe nxisin reflektim. Këtë vit festivali synon të përcjellë idenë se dizajni grafik ka fuqi të artikulojë tema të rëndësishme, të hapë dialog dhe të pasqyrojë frymën e kohës me një gjuhë vizuale të guximshme dhe të sinqertë. Pjesëmarrja e artistëve dhe dizajnerëve nga 38 vende të botës është rezultat i rrjetit ndërkombëtar që festivali ka ndërtuar ndër vite, i thirrjes së hapur profesionale dhe reputacionit që PIPF ka fituar si platformë serioze për posterin bashkëkohor. Kjo përfshirje e gjerë shumëkombëshe e pozicionon festivalin në një nivel të ri ndërkombëtar dhe u jep publikut të rajonit mundësinë të shohë qasje estetike, kulturore dhe konceptuale nga pothuajse i gjithë globi, duke e bërë ekspozitën një hapësirë të vërtetë dialogu ndërkulturor, tha Galica.
Ai shtoi se kjo ekspozitë do ti sjellë publikut jo vetëm vepra, por ide që sfidojnë, frymëzojnë dhe hapin horizonte të reja kulturore.
“Në ekspozitën e Tetovës publiku pritet të përjetojë një përzgjedhje të kuruar me kujdes të posterëve që sjellin eksperimente vizuale, tipografi të fortë, narrativë bashkëkohore dhe reflektime mbi fenomenet aktuale globale. Ky edicion është i rëndësishëm për artin vizual bashkëkohor sepse e trajton posterin si një artefakt kritik dhe intelektual, duke ndërthurur estetikën me mendimin dhe duke e vendosur dizajnin grafik në të njëjtën linjë me praktikat artistike që komentojnë shoqërinë. Ekspozita e Tetovës, si pjesë e këtij rrugëtimi, e forcon rolin e qytetit si një pikë të re të rëndësishme për prezantimin e artit grafik në rajon, duke i sjellë publikut jo vetëm vepra, por ide dhe perspektiva që sfidojnë, frymëzojnë dhe hapin horizonte të reja kulturore”, tha Galica.
Gjatë ceremonisë së hapjes, do të shpallen fituesi i parë dhe i dytë, në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale, ndërsa festivali do të ndajë edhe çmime speciale për pjesëmarrës të tjerë me kontribuim të veçantë artistik.
Ekspozita paraqet punime të artistëve, dizajnerëve, studentëve dhe aktivistëve nga e gjithë bota, të cilët adresojnë tema si: pjesëmarrja qytetare; liria e medias; korrupsioni; identiteti dhe përkatësia; kujtesa kolektive dhe; shpresa dhe transformimi shoqëror.