Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar Kodin e Sjelljes Etike për deputetët, dokument i cili synon të përcaktojë rregulla dhe standarde për sjelljen, komunikimin dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve të zgjedhur. Në aktivitetin e organizuar me rastin e miratimit të Kodit, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi theksoi se dokumenti nuk duhet të mbetet vetëm një akt formal, por të zbatohet në praktikën e përditshme parlamentare, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, qëllimi i Kodit është që debati politik të zhvillohet mbi bazën e argumenteve, duke shmangur gjuhën fyese dhe përplasjet personale, si dhe të forcohet përgjegjësia e deputetëve ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se dokumenti është hartuar përmes konsultimeve me grupet parlamentare dhe është miratuar me konsensus, duke përfshirë kontributin e të gjitha partive politike.
Në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit u bëri thirrje deputetëve që zbatimin e Kodit ta shohin si përgjegjësi institucionale dhe morale, me synim përmirësimin e kulturës politike dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione.
Në procesin e hartimit të Kodit kanë kontribuar edhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Programin Zviceran për Mbështetje Parlamentare, Ambasadën Zvicerane, Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) dhe OSBE-në.