Debat: 25 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, çfarë u zbatua e çfarë jo?

25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut sërish po përplasen me realitetin politik. Derisa shqiptarët kërkojnë zbatimin e plotë të parimeve që dolën nga marrëveshja e vitit 2001, nga ana maqedonase ende ka rezerva, kundërshtime dhe kontestime për disa prej tyre. Në një panel të organizuar me rastin e 25-vjetorit nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, politikanë dhe ekspertë të ndryshëm debatuan mbi atë se çfarë u realizua dhe çfarë jo në këtë gjysmë shekull, shkruan Portalb.mk.

Folësit përmendën sfidat që lidhen me bashkëjetesën ndëretnike, decentralizimin, përfaqësimin e drejtë dhe nevojën për një angazhim më të madh institucional për zbatimin e plotë të parimeve të marrëveshjes.

Opinionistja dhe diplomatja Adelina Marku, para të pranishme tha se shqiptarët në numër të madh njohin më shumë popullin maqedonas.

“Ndërsa 25 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, maqedonasit ende nuk janë të interesuar për të njohur kulturën, gjuhën, historinë dhe të menduarit e shqiptarëve”, theksoi Marku.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë panelit foli për rëndësinë e e decentralizimit i cili ndodhi si pasoj e Marrëveshjes së Ohrit.

“Pas 25 viteve nuk na mjafton të themi se decentralizimi është i rëndësishëm, duhet ta pranojmë se procesi ka ngecur dhe disa prej synimeve themelore të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë në zbatim të plotë. Na nevojitet një partneritet i ri dhe i qartë prej pushtetit lokal dhe qendror, për financim të drejtë dhe përgjegjësi të matshme”, theksoi Kasami.

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Agon Ferati, gjatë panelit theksoi se ky përvjetor nuk duhet të jetë vetëm një kthim pas në të kaluarën, por edhe një mundësi për të diskutuar për të ardhmen dhe sfidat që e presin vendin. 

“Marrëveshjen e Ohrit duhet ta shohim si një mundësi për të orientuar vëmendjen tonë nga e ardhmja. Ne duhet të fokusohemi te krijimi mundësive për rininë, pasi ajo është e ardhmja e këtij vendi dhe resuri ynë më i madh për ta ndërtuar një shoqëri më të zhvilluar”, tha Ferati.

Nga ana tjetër, ish-politikani dhe diplomati Aziz Pollozhani, gjatë panelit përmendi tre personat të cilët ishin pjesëmarrës në këto procese. Ai të parin përmendi ish-kryetarin e PPD-së, Imer Imerin, ku Pollozhani tha se kishte një kontribut në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.

“Kontributi i Arben Xhaferit ishte edhe më i theksuar pasi ai me përvojën dhe bazën e tij në teorinë politike e bëri edhe më të lehtë mbrojtjen e argumenteve tona gjatë diskutimit. Pa dyshim që i treti do të jetë ish-presidenti i vendit Boris Trajkovski, i cili me guxim e mori nën mbrojtjen e tij procesin e implemntimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke e bërë atë proces itern dhe jo të imponuar nga jashtë”, nënvizoi ai.

Profesori universitar Demush Bajrami, gjatë panelit tha se në analizën sociopolitike nuk mund të kuptohet decentralizimi pa historinë politike të shqiptarëve. 

“Që nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i pluralizmit, kërkesat politike shqiptare përqendroheshin në disa parime duke përfshirë barazinë kushtetuese, përfaqësimin proporcional, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin në gjuhën amtare dhe vetëqeverisje më të madhe lokale”, theksoi Bajrami. 

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë panelit tha se shembulli më domethënës për implementimin e Marrëvehsjes së Ohrit është përgatitja e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ai tha se për vite me radhë ky parim është zbatuar përmes mekanizmave administrativ, ndërsa sot synimi është që ai të rregullohet me ligj të posaçem dhe të jetë detyrim i qartë për institucionet e shtetit.

“Qeveria ka miratuar zgjidhjen ligjore për përfaqësimin e drejt dhe adekuat, duke e ngritur nga niveli i mekanizmit administrativ në nivelin e rregullimit ligjor. Kjo është një diferencë thelbësore. Sepse një mekanizëm mund të ndryshohet dhe të keqpërdoret dhe të varet nga vullneti i institucionet, një parim i vendosur në kornizë ligjore siguron qëndrueshmëri”, tha Mexhiti.

Në panel u theksua gjithashtu se, edhe 25 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, mbetet e nevojshme vazhdimi i dialogut dhe përkushtimit institucional për zbatimin e plotë të parimeve të saj.

Pjesëmarrësit vlerësuan se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, decentralizimi, bashkëjetesa ndëretnike dhe krijimi i mundësive për të rinjtë mbeten ndër sfidat kryesore që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm për të siguruar zhvillimin demokratik dhe stabilitetin e vendit. 

Javë më parë, kreu i BDI-së opozitare, Ali Ahmeti dërgoi letër të hapur, në të cilën shprehte shqetësim për qasjet institucionale që, sipas tij, mund të cenojnë barazinë, duke theksuar se problemi nuk qëndron te ligji, por te mungesa e zbatimit të tij në praktikë dhe vullnetit institucional për ta respektuar atë, me theks të veçantë te pikat e Marrëveshjes së Ohrit.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut periudhën e fundit janë aktualizuar çështjet etnike, nisur nga shfuqizimi i ‘Balancuesit’, kontestimi i Ligjit të gjuhëve, mohimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. dygjuhësia e sistemit ‘Qyteti i Sigurt‘ dhe të tjera. Këto kanë hapur debat të gjerë në dhe përplasje të ashpra midis partive opozitare dhe atyre në pushtet.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001, pas një periudhe të tensioneve ndëretnike dhe konfliktit të armatosur që nisi në janar të po atij viti, duke i dhënë fund përleshjeve dhe duke vendosur bazat për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në Maqedoninë e atëhershme. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, parashikon përdorimin zyrtar të gjuhëve, decentralizimin, mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e drejtë, ndërsa zbatimi i saj solli ndryshime të rëndësishme ligjore dhe institucionale, përfshirë avancimin e statusit të gjuhës shqipe. Megjithatë, 25 vjet pas nënshkrimit, në vend ende vazhdon debati për nivelin e (mos) zbatimit të plotë të saj dhe për të drejtat që ajo garanton.