Mexhiti pas letrës së Ahmetit: Burim i prodhimit të tensioneve dhe problemeve janë zgjidhjet gjysmake të cilat i ka lënë vetë ai

Njëri nga liderët e VLEN-it Izet Mexhiti, në një deklaratë për Alsat thekson që letra e hapur e Ali Ahmetit për çështjen e zbatimit të gjuhës shqipe është tentativë për të manipuluar opinionin dhe për të mbajtur gjallë shpresën në anëtarësi për rikthimin e tij në qeveri.

Sipas Mexhiti, po të ishte rregulluar çështja e gjuhës ashtu siç sot shprehet Ahmeti, nuk do të ishin këto probleme.

“Opinioni duhet ta dijë të vërtetën se ne nuk kemi Ligj të Gjuhës Shqipe, por kemi Ligjin e Gjuhëve ku përcaktohet me 20% se ku mundet dhe ku s’mundet. Po të ishte definuar sikur ka qenë ideja, e kanë marrë modelin e Kosovës kur kanë filluar bisedimet për ta rregulluar Ligjin e Gjuhës Shqipe, që serbishtja është gjuhë zyrtare e baravbartë me gjuhën shqipe në Kosovë, sot nuk do të kishte askush dilemë se ku përdoret e ku spërdoet gjuha shqipe. Pra burim i prodhimit të tensioneve dh eproblemeve janë paqartësitë apo zgjidhjet gjysmake të cilat i ka lënë zoti Ahmeti në qeverisjen e tij”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.

Mexhiti më tej thekson që VLEN po e pret momentin politik për të avancuar statusin e gjuhës shqipe.

“Unë i siguroj qytetarët që ne po bëjmë përpjekjet maksimale. Ky ligj që është i gjuhëve, 20%-shi ne jemi garanci që i qëndrojmë mbrapa dhe asnjë fije mos t’i mungojë. Përkundrazi e presim momentin e volitshëm politik që gjuha shqipe ta merr statusin e merituar si gjuhë zyrtare, e plotë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi – Izet Mexhiti, VLEN.

Përgjigjja e Mexhitit vjen pas letrës së djeshme të Ali Ahmetit, në të cilën si gjithashtu shpreh shqetësim për qasjet institucionale që, sipas tij, mund të cenojnë barazinë, duke theksuar se problemi nuk qëndron te ligji, por te mungesa e zbatimit të tij në praktikë dhe vullnetit institucional për ta respektuar atë.

Ndryshe, gjuha shqipe është rikthyer në qendër të debatit politik dhe institucional në Maqedoninë e Veriut, sidomos pas zhvillimeve të fundit që lidhen me kontestimin e disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe çështje të tjera konkrete në praktikë. Debati është intensifikuar veçanërisht rreth moslejimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, çka ka nxitur reagime politike, iniciativa në Kuvend dhe paralajmërime për protesta nga studentët . Këto zhvillime kanë thelluar përplasjet mes institucioneve dhe aktorëve politikë. Po ashtu, debatet janë zgjeruar edhe në iniciativa të tjera si projekti për “Qytetin e sigurt”, ku është ngritur shqetësimi për mungesën e përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe në komunikimin institucional dhe në sistemet publike, duke e thelluar më tej diskutimin për zbatimin real të ligjit në terren.