CRPM: Ligji për punësimin e personave u miratua me konsensus ndërpartiak
Maqedonia e Veriut ka bërë një hap përpara dhe ka miratuar një zgjidhje moderne, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për të formalizuar punën e padeklaruar. Ligji për Punësimin e Personave përcakton një kornizë formale për njohjen dhe mbrojtjen e mijëra personave të angazhuar në punë sezonale, të përkohshme ose të rastit, të cilët janë jashtë sistemit ligjor dhe të mbrojtjes sociale. Ky është qëndrim i përbashkët i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Qendrës për Kërkim dhe Hartim Politikash (CRPM), transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë të përbashkët, ata vlerësojnë se njerëzit e angazhuar në sektorët e bujqësisë, mikpritjes, turizmit dhe shërbimeve shtëpiake tradicionalisht përballen me kushte të pasigurta pune, pa kontrata të nënshkruara, leje të paguar për sëmundje ose leje prindërore, sigurim shëndetësor ose shtesa në paga.
Ligji ofron angazhim të thjeshtuar në punë, duke mbrojtur njëkohësisht qasjen në të drejtat e fituara nga sistemi i mbrojtjes sociale ose të drejta të tjera si pensionet, përfitimet e papunësisë ose bursat. Pensionistët, studentët dhe personat në rrezik social do të jenë në gjendje të angazhohen zyrtarisht në punë pa humbur përfitimet e tyre të fituara sociale dhe shëndetësore.
“I zhvilluar si një shembull shkollor se si zhvillohet politika publike bazuar në prova, ky ligj përmbush nevojat moderne të tregut të punës dhe formalizon angazhimet në punë duke ofruar mbrojtjen e nevojshme për personat e angazhuar. Në të njëjtën kohë, ky ligj ofron mundësinë për regjistrim të shpejtë dhe të lehtë të punëtorëve, duke zgjeruar aksesin e punëdhënësve në një fuqi punëtore që aktualisht mungon në tregun e punës”, tha Dr. Marija Risteska, Drejtore Ekzekutive e Qendrës për Kërkim dhe Hartim Politikash – CRPM Shkup.
Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e sistemit të informacionit për regjistrimin dhe çregjistrimin e personave të punësuar, ndërsa taksat dhe detyrimet e tjera do të zbatohen përmes Zyrës së të Ardhurave Publike.
“Përshtatja e sistemit të informacionit do të zbatohet me mbështetjen e donatorëve nga Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim. Zgjidhja e re ligjore sjell një mundësi për të dalë nga ekonomia gri dhe siguri më të madhe për shumë punëtorë në vend. GIZ e mbështeti me krenari këtë reformë, e cila mundëson qasje të drejtë dhe të sigurt në tregun e punës për të gjithë, veçanërisht për punëtorët sezonalë dhe të rastit. Ne besojmë se ky është një kontribut i rëndësishëm për një shoqëri më të drejtë nga ana sociale dhe ekonomikisht të qëndrueshme”, tha David Oberhuber, Drejtor i GIZ-it në Maqedoninë e Veriut.