Çmimin për mbetjen jashtë BE-së nuk do ta paguajë Mickoski, do ta paguajnë qytetarët dhe fëmijët e tyre, tha Filipçe dhe kërkoi referendum

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, pas deklaratës së të martës (26.05.2026) të kryeministrit Hristijan Mickoski para kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq në Ohër se vendi mbetet jashtë BE-së dhe se jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin për këtë, reagoi sot në një konferencë për shtyp duke thënë se Mickoski dhe funksionarët VMRO-së e kanë gjendjen mirë, ndërsa qytetarët do ta paguajnë çmimin dhe se ai nuk ka as të drejtë morale e as politike të marrë vetë vendime të tilla, transmeton Portalb.mk.

“Dje e dëgjuam Hristijan Mickoskin, tha: ‘Nuk ka më lëshime për hyrje në Bashkimin Evropian, jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin’. Shtrohen dy pyetje: Cilat janë ato lëshime dhe kush janë ata që do ta paguajnë çmimin? Për lëshimet dëgjuam, gjithçka që tha ishte një gënjeshtër e madhe: Do ta kthenin emrin, do ta anulonin Marrëveshjen e Prespës, gjuha dhe identiteti qenkan të rrezikuara etj. Megjithatë, ajo fushatë e rreme gradualisht po demaskohet, sepse qytetarët e kuptuan se asgjë nga kjo nuk është e vërtetë”, tha Filipçe.

Sipas Filipçes, çmimin për mbetjen jashtë BE-së nuk do ta paguajnë as Mickoski e as funksionarët e VMRO-DPMNE-së, sepse, siç tha ai, të gjithë ata kanë pasaporta bullgare.

“Çmimin do ta paguajnë të gjithë qytetarët, do ta paguajmë ne, familjet tona, fëmijët dhe të rinjtë. E vetmja gjë që është e rrezikuar për momentin është e ardhmja e fëmijëve tanë dhe standardi jetësor i qytetarëve. Mickoski dhe banda nuk duan të jenë në Bashkimin Evropian, sepse atje jepet llogari para prokurorëve evropianë për krim dhe korrupsion, gjë që atij nuk i përshtatet. Prandaj na mbajnë peng, shpikin armiq, konflikte artificiale dhe tradhtarë. Ata jetojnë mirë dhe kur të vijë koha, do të largohen nga Maqedonia e shkatërruar drejt ndonjë destinacioni evropian”, kritikoi Filipçe.

Kryeministri Mickoski dje tha se nuk do të ketë lëshime të reja identitare dhe se Qeveria është e gatshme ta paguajë çmimin për ruajtjen e interesave kombëtare.

“Fatkeqësisht, përderisa mosmarrëveshjet bilaterale dhe i ashtuquajturi bullizëm ndaj nesh nga disa vende anëtare, përkatësisht në këtë rast nga një vend anëtar, janë pengesë që ne të bëhemi pjesë e asaj familjeje, kjo që prej kohësh e kemi merituar fatkeqësisht do të largohet. Por ne nuk e humbasim shpresën, nuk e humbasim energjinë, përkundrazi, do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm dhe presim ta marrim atë mundësi për të qenë pjesë e asaj familjeje. Nuk ka më mundësi për lëshime identitare, nuk ka më mundësi për hapa prapa kur bëhet fjalë për përcaktimet tona kombëtare. Sado i madh të jetë ai çmim që duhet ta paguajmë, kjo Qeveri është e gatshme ta paguajë. Do të presim kohë më të mira. Nëse vërtet proceset bilaterale janë ato që duhet ta gjykojnë rrugën tonë evropiane, atëherë ne do të luftojmë në një mënyrë tjetër”, tha Mickoski.

Lideri i LSDM-së konsideron se kjo është çështje referendumi dhe se Mickoski nuk ka as të drejtë morale e as politike ta mbajë Maqedoninë strategjikisht si një “qorrsokak”.

“Nuk mundet Hristijan Mickoski të vendosë për fatet tona. Qytetarët duhet të vendosin për këtë, sepse ata dhe fëmijët e tyre do ta paguajnë çmimin e këtyre politikave të gabuara të Mickoskit. Ata janë të vetmit që mund të vendosin për fatin e tyre. Shpallni referendum, pyetini qytetarët. Nuk mundeni ju të vendosni për fatin e të gjithë atyre që jetojnë në Maqedoni”, bëri thirrje Filipçe.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.