Indeksi i Konkurrueshmërisë të Ballkanit Perëndimor: Nevojiten politika më të fuqishme rajonale për zhvillim teknologjik
Maqedonia e Veriut shënon rezultate të rëndësishme në fushën e eksportit të teknologjisë së lartë, ndërsa Shkupi veçohet si qendra kryesore e ekosistemit të inovacionit në vend, veçanërisht në fushën e kërkimit dhe zhvillimit, aktivitetit të patentave dhe qasjes në kapitalin e rrezikut, thuhet në gjetjet e Indeksi i Konkurrueshmërisë dhe Inovacionit të Ballkanit Perëndimor, të prezantuar nga Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, raporti paralajmëron edhe për një hendek të konsiderueshëm ndërmjet kryeqytetit dhe rajoneve të tjera në vend, si dhe për nevojën e politikave më të fuqishme të orientuara rajonale që do të mbështesin modernizimin teknologjik, produktivitetin, digjitalizimin dhe mbajtjen e kuadrove të kualifikuara.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, sektorit të biznesit, komunitetit akademik dhe shoqërisë civile. Diskutimet u fokusuan në rolin e inovacioneve në rritjen ekonomike, investimet në kërkim dhe zhvillim, konkurrueshmërinë rajonale dhe mundësitë që rrjedhin nga politikat dhe instrumentet evropiane për mbështetjen e inovacionit.
Ndërkaq, Indeksi i prezantuar sot, ofron një analizë krahasuese të kapaciteteve për inovacion dhe konkurrueshmëri në rajon dhe jep rekomandime për avancimin e politikave publike me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe inteligjente.