Premtimi elektoral i Merkos për ndërtimin e shtratit të lumit Drini i Zi ende shumë larg realizimit

Ndërtimi i shtratit të lumit Drini i Zi ishte një tjetër premtim elektoral e kryetarit aktual në Komunën e Strugës. Aktualisht po punohet në këtë projekt, por autoritet komunale thonë se është projekt i HEC Globocicë-Strugë pa dhënë më shumë detaje konkrete rreth zotimit që ata bënë para elektoratit struganë në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Duke vëzhguar situatën në terren mundet të konkludohet se ky premtim akoma nuk është përmbushur, shkruan Portalb.mk.

Programi zgjedhor “Agjenda e Blertë” i mundësoi edhe një mandat në krye të Komunës së Strugës Ramis Merkos, kandidatit të BDI-së në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Komunën e Strugës. Programi zgjedhor në fjalë njihet për premtimet e shumta drejtuar elektoratit të Komunës së Strugës, ku dominim më të madh kanë projektet infrastrukturore. Një ndër premtimet e rëndësishme infrastrukturore është edhe ndërtimi i shtratit të lumit Drini i Zi, segmenti prej tek penda e lumit deri tek rreth rrotullimi te ura në Moroishtë. Bëhet fjalë për një distancë prej 1.8 km dhe parashikohet gjelbërim, ndriçim publik, shtigje për këmbësor, shtigje për biçikleta.

Lumi Drini i Zi buron nga Liqeni i Ohrit dhe rrjedh mes përmes qytetit të Strugës duke i dhënë epitetin qyteti i urave. Edhe pse një atraksion mjaft i veçantë për Strugën, vetëm pjesa e shtratit të lumit në qendër të qytetit është e rregulluar me shëtitore dhe ndriçim përderisa pjesa tjetër e shtratit të lumit është lënë në mëshirë të fatit. Gjatësia e përgjithshme e lumit, i cili nga Struga vazhdon rrjedhën në Shqipëri për tu derdhur në detin Adriatik, është 149 km. Në pjesën e Maqedonisë së Veriut rrjedha e lumit është e ndërprerë nga dy liqene artificiale (Dibër dhe Glloboçicë), të cilat shërbejnë për përfitimin e rrymës elektrike.

Para disa javësh në një pjesë të shtratit të lumit Drini i Zi filluan punimet për pastrimin e shtratit ndërkohë në llogarinë zyrtare të Komunës së Strugës në Facebook u njoftua se po punohet në parandalimin e fatkeqësive natyrore.

“Vazhdojnë punimet për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe për parandalimin e fatkeqësive natyrore. Komuna e Strugës ka realizuar edhe një aktivitet për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe për parandalimin e fatkeqësive natyrore, siç janë vërshimet, te pjesa e quajtur Drini i Vogël, nga unaza për Ohër-Qafëthanë-Dibër në dalje të qytetit, deri te parking-placi i AMS rrugës për Velesht. Vazhdojmë më tej!…”, bënë të ditur nga Komuna e Strugës.

Meqë premtimi i paraqitur në “Agjendën e Blertë”, nuk parashikon pastrimin e shtratit por ndërtimin e zonës për rreth lumit redaksia e Portalb.mk u drejtua deri te Komuna e Strugës për informacione më konkrete rreth kostos së projektit, fazat e punimeve dhe afatet e finalizimit.

“Ndërtimi i shtratit të lumit Drini i Zi është është projekt i HEC Globoçicë-Strugë”, deklaruan nga Komuna e Strugës për Portalb.mk.

Nga prononcim i shkurtër i Komunës së Strugës nënkuptohet se  punimet që po zhvillohen aktualisht në terren nuk janë projekt i këtij institucioni dhe duket larg realizimi i premtimit për ndërtimin e shtratit të lumit në një atraksion të ri për qytetin e Strugës. Përndryshe shtrati i lumit me ndriçim, shëtitore dhe gjelbërim është i rregulluar vetëm në pjesën e qendrës së qytetit, nga rrjedha e lumit deri tek penda e lumit nga ku sipas premtimit aktual duhet të zhvillohet pjesa tjetër e shtratit të lumit. Edhe pjesa e ndërtuar e shtratit të lumit Drini i Zi është shumë e vjetër dhe ka nevojë për renovim. Në “Agjendën e Blertë” mes tjerash premtohet dhe renovimi i shëtitoreve buzë Drinit, ku aktualisht po punohet në rregullimin e vetëm një pjese të shëtitores.

Në fotogalerinë më poshtë mundet ta shikoni gjendjen e lumit Drini i Zi:

Duke u bazuar në situatën faktike në terren, Portalb.mk konkludon se premtimi infrastrukturorë për ndërtimin e shtratit të lumit Drini i Zi i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

 

BURIMET:

* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 42, verifikuar më 15.11.2023

* Llogaria zyrtare e Komunës së Strugës në Facebook