“Burri i Shtëpisë” me premierë botërore në Sarajevë, Drita Kaba Karaga luan rolin kryesor në film
Filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media”, do të ketë premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025. Pjesë e këtij filmi është edhe aktorja e mirënjohur nga Maqedonia e Veriut Drita Kaba Karaga, shkruan Portalb.mk.
Edicioni i 31-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë do të mbahet në datat 15-22 gusht 2025. Festivali do të hapet me “The Pavilion” nga regjisori i mirënjohur boshnjak Dino Mustafic. 50 filma do të garojnë në kategori të ndryshme, për çmimin “Zemra e Sarajevës”.
Janë përzgjedhur 15 premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 28 rajonale si dhe dy premiera kombëtare. Pritet që kineasti italian Paolo Sorrentino të vlerësohet me çmim nderi “Honorary Heart of Sarajevo Award”, për kontributin e jashtëzakonshëm në artin e kinemasë. Dy yje të tjerë të kinematografisë botërore, të cilët do të nderohen me çmime në këtë edicion, do të jenë suedezi Stellan Skarsgard dhe amerikani Willem Dafoe.
Drita Kaba Karga në rolin e Franit, për Portalb.mk tha se Frani është një grua e fortë që rrethanat e kanë detyruar të marrë barrën e të gjitha punëve që bëjnë burrat.
“Regjisori Andamion Murataj më thirri në një takim në teatrin tonë, më tha se kishte vite që më shihte në rolin kryesor të filmit të tij, më foli për skenarin dhe gjithë mundin e dashurinë që kishte investuar në të. Lexova skenarin dhe te Frani gjeta një grua të fortë që rrethanat e kanë detyruar të marrë barrën e gjitha punëve që bëjnë burrat. Kam njohur gra të tilla, mendova Franit do të di dhe mundem t’i jap jetë. Procesi i xhirimeve ishte i studiuar hollësisht me profesionalizëm dhe shumë dashuri me bë punë të jashtëzakonshme”, tha Kaba Karaga.
Ajo edhe më tej shtoi se të gjitha skenat në çdo pore janë të veshura me emocione të veçanta e përqendrim maksimal.
“Sigurisht që për burrneshat kam dëgjuar rrëfime e legjenda qysh si fëmijë por Frani nuk është burrneshë nga ato që në mungesë të meshkujve të shtëpisë luan rolin e burrit, babain dhe vëllain i ka gjallë. Jam takuar me Dijanën për fat të mirë xhiruam bashkë dy skena por fatkeqësisht ndërkohë që vazhdonte xhirimi i filmit na erdhi lajmi se kish ndërruar jetë na tronditi shumë. Të gjitha skenat në çdo pore janë të veshura me emocione të veçanta e përqendrim maksimal. Çdo rol është specifik dhe kërkon angazhim e thellim edhe ato role që na i cakton jeta për ndryshe do të ishim shkel e shko… E përfshirë me Franin të gjitha sfidat mendoj se i kam përballuar me dinjitet. Për tu dukur si Fran preva flokët si djalë por jo për të hyrë në karakter se ajo është vetëm pamja e jashtme”, tha Kaba Karaga.
Andamion Murataj regjisor edhe skenaristi i filmit kur e pyetëm nga Portalb.mk se cili është mesazhi i filmit ai u shpreh: “Mesazhi im për shikuesit është dy pika:“Emigrantë mos i lini fëmijët pas, se ju bëhen burra shtëpie!”- sigurisht që bëj shaka. Unë nuk punoj kurrë me një mesazh të definuar në kokë, ndaj e mirëpres që gjithkush të ketë refleksionin e tij personal mbi filmin i cili është herë kulturor e herë social. Për mua, me rëndësi është që filmi të shpërfaqë sa më plotësisht një botë filmike me karaktere emocionale dhe me probleme relevante që më kanë preokupuar personalisht. Shpresoj që emocionet që kam ndjerë gjatë krijimit të filmit, që nga skenari deri në përfundim, të mbarten dhe tek shikuesit”, tha Murataj.
Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.