Nëntë vjet nga përmbytjet në Hasanbeg të Shkupit ku vdiqën 22 persona
Nëntë vjet më parë, fshatrat e Shkupit Hasanbeg, Stajkovcë, Straçincë, Rashtak dhe Haraçinë, u goditën nga përmbytje katastrofike që morën 22 jetë njerëzish. Stuhia filloi në pasdite, kur ky rajon i Shkupit u godit nga shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta. Rreth një mijë qytetarë u evakuuan gjatë natës, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, njoftoi sot, me rastin e përvjetorit, se do të fillojë procedurën për vendosjen e një pllake përkujtimore, si simbol i kujtimit dhe respektit për tragjedinë.
“Vitin tjetër, 2026, do të shënojmë 50 vjet nga ekzistenca e komunës sonë, gjysmë shekulli histori, zhvillim dhe bashkim. Por në të njëjtën kohë, do të jenë edhe 10 vjet nga përmbytjet tragjike. Kjo është arsyeja pse do të nis një iniciativë për të ngritur një pllakë përkujtimore, e cila do të jetë një monument i përjetshëm – jo vetëm për tragjedinë, por edhe për guximin, solidaritetin dhe humanizmin që kemi treguar si popull. Do të jetë një vend heshtjeje dhe reflektimi, lutjeje dhe kujtimi, respekti për ata që nuk janë më me ne”, shkroi Stefkovski në profilin e tij në Facebook.
Ai u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve dhe organizatave të përfshihen në këtë iniciativë.
22 persona humbën jetën në stuhi, më i vogli prej të cilëve ishte një fëmijë nëntëvjeçar. Shumë u plagosën dhe një numër i madh shtëpish u shkatërruan.
Gjatë 24 orëve më 6 gusht të vitit 2016 në Shkup kanë rënë 92,9 litra shi në një metër katror, ndërsa gjatë dy orëve të para nga fillimi i motit të lig ka pasur mbi 800 vetëtima.