Nga kritikat e BE-së te “mundësia e dytë” e Shasivarit për Kodin Zgjedhor
Reforma e Kodit Zgjedhor përballet me kërkesa konkrete nga Komisioni Evropian për forcimin e kontrollit mbi financimin e fushatave dhe partitë politike. Kjo u bë e qartë edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Nga ana tjetër, ministri i ri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se procesi ka një “mundësi të dytë” dhe kërkon rikthimin e dialogut politik për ndryshimet, raporton Portalb.mk.
Shasivari, i cili më 30 shtator zhvilloi takim me anëtarët e Grupit të punës për reforma në legjislacionin zgjedhor, tha se do të kërkojë takim me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, me synimin që kjo parti të rikthehet në mënyrë aktive në punën e grupit. Ai theksoi se reforma duhet të bazohet në konsensus të gjerë politik dhe në standardet evropiane dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Nga ana tjerë, Filipçe deklaroi se nuk do ta mbështesë legjislacionin përveç se nëse në të, përfshihen amendamentet që rekomandohen ekskluzivisht nga OSBE-ja
“Lidhur me ligjin zgjedhor, e kemi thënë qartë dhe me zë të lartë disa herë, dhe do ta mbështesim ligjin kur në të të përfshihen amendamentet që rekomandohen ekskluzivisht nga OSBE-ja. Ne nuk do të mbështesim një ligj që tenton manipulim zgjedhor. Votimin nga diaspora, elektronikisht ose me postë. Dhe shënimin e fletës së votimit ndryshe, në mënyrë që ata të mund të shënojnë dhe detyrojnë njerëzit të votojnë, për të kontrolluar se si votojnë. Ky është qëllimi i ndryshimit të ligjit zgjedhor. Ne nuk e mbështesim një ligj të tillë, sepse është jo-evropian, sepse është jodemokratik”, tha Filipçe.
Në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ndërkohë, vlerësohet se mbikëqyrja efektive e financimit të fushatave dhe partive politike vazhdon të pengohet nga legjislacioni i pamjaftueshëm dhe mungesa e burimeve në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

KE-ja vëren se propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, i paraqitur në qershor 2025, nuk adresoi aspekte të rëndësishme të nevojshme për zbatimin real të rregullave kundër korrupsionit gjatë zgjedhjeve.
Mes çështjeve që kërkojnë përmirësim, raporti veçon mbikëqyrjen e financimit të fushatave, kontrollin e keqpërdorimit të burimeve publike gjatë fushatave, kufizimin e shpenzimeve publike dhe vendosjen e mekanizmave të qartë për ndarjen e buxhetit shtetëror për reklamimin e paguar të fushatave. Këto rekomandime janë bërë edhe nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR).
“Kjo vlen veçanërisht për përmirësimin e mbikëqyrjes së financimit të fushatave dhe monitorimin e keqpërdorimit të burimeve publike gjatë fushatave zgjedhore, përfshirë kufizimin e shpenzimeve publike dhe vendosjen e mekanizmave të qartë për ndarjen e buxhetit shtetëror për reklamimin e paguar të fushatave, siç rekomandohet nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR)”, thuhet në raport.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime për kapacitetin e KSHPK-së për të kryer mbikëqyrje efektive, duke përmendur mungesën e burimeve të mjaftueshme, ekspertizës teknike dhe kompetencave të nevojshme për zbatimin e rregullave, për shkak të mospërputhjeve në kuadrin ligjor.
Ndërkohë, grupi i punës për rishikimin e legjislacionit zgjedhor, i përbërë nga përfaqësues të spektrit politik dhe i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, e ka mbajtur seancën konstituive më 9 mars 2026. Tani, Shasivari thotë se synimi është që procesi të zhbllokohet dhe të rikthehet në një dinamikë aktive institucionale.

“Kodi Zgjedhor nuk është pronë e asnjë partie politike, as e pushtetit dhe as e opozitës. Ai është ligj që përcakton rregullat demokratike sipas të cilave qytetarët realizojnë vullnetin e tyre të shprehur lirisht. Prandaj, të gjithë aktorët politikë kanë detyrimin të bisedojnë. Mund të kemi qëndrime të ndryshme politike, por nuk guxojmë të lejojmë që dallimet të bëhen pengesë për përmirësimin e sistemit zgjedhor”, theksoi Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Një tjetër çështje e përmendur në raport lidhet me kontrollet financiare të zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Sipas programit vjetor të punës së Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2026, janë planifikuar 166 auditime të rregullsisë së fushatave zgjedhore, të cilat ende nuk ishin publikuar në kohën e hartimit të raportit të KE-së.
Shasivari ka deklaruar se pret që reforma të prodhojë një legjislacion zgjedhor “të qëndrueshëm, të parashikueshëm, transparent dhe në përputhje me standardet evropiane”.
Në të njëjtën kohë, raporti i KE-së tregon se përputhja me standardet evropiane kërkon ndryshime jo vetëm formale në Kodin Zgjedhor, por edhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve që duhet të kontrollojnë financimin dhe zbatimin e rregullave gjatë zgjedhjeve.
Ndryshe, mosmiratimi i Kodit Zgjedhor lë ende të paqartë fatin e 4.28 milionë eurove të lidhura me këtë reformë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në përgjigjet për Portalb.mk muajin e kaluar, Ministria e Çështjeve Evropiane nuk sqaroi nëse këto mjete janë humbur përfundimisht e as nuk garanton se ato mund të kërkohen dhe të disbursohen në një fazë të mëvonshme.
- LEXO: Shasivari: Mundësi e dytë për Kodin Zgjedhor, pres që LSDM-ja t’i bashkohet takimit të ardhshëm të grupit të punës
- LEXO: Sali: Ka përpjekje për miratimin e Kodit Zgjedhor, por ende është në fazën e negociatave
- LEXO: 4.2 milionë eurot për Kodin Zgjedhor nuk janë “humbur” ende, por Qeveria e RMV-së nuk tregon nëse dhe si do t’i shpëtojë