Bllokada ruse e grurit ukrainas: ndikimi në sigurinë globale të ushqimit

“Kremlini ka shkatërruar edhe 13,000 tonë drithë të drejtuar për të ushqyer njerëzit në Egjipt dhe Rumani. Sulmet e Rusisë ndaj depozitave, anijeve dhe porteve të drithit ukrainas po e lënë botën në uri.”- tha sekretari amerikan i Departamentit të Shtetit Antony Blinken. Kriza e transportit të grurit nga Ukraina ka sjellë rritje të çmimit të bukës, ndërsa në Afrikë dhe në Azi, bllokada detare ruse ka zbuluar se këto shtete e kanë vështirë të mbijetojnë pa grurin ukranias.

Bllokada ruse është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, por aspak nuk është marrë seriozisht nga Rusia e Putinit. Rusia është tërhequr nga një marrëveshje eksporti me Turqinë dhe OKB-në, për të lejuar eksportimin e miliona tonë gruri ukrainas.

Në nëntor të 2022-tës, Rusia kishte njoftuar se “do të pezullonte pjesëmarrjen në marrëveshjen ndërkombëtare, sepse Ukraina dhe Britania dyshohej sipas qeverisë ruse e kishin sulmuar flotën ruse të Detit të Zi me dronë.” Moska zyrtare tha se “sulmet prekën anijet civile në korridoret e grurit.” Këto ishin disa nga arsyet e Rusisë që përfundimisht në verë të 2023-tës të ndarëmarrë masa radikale- të bllokojë tërësisht eksportin global të grurit nga Ukraina.

Siç dihet konfliktet dhe pasiguria janë nxitësit kryesorë të urisë në botë. Në Ukrainë që nga sulmi rus i shkurtit të 2022-tës, kombinimi i disa faktorëve ka shkaktuar krizë humanitare si në refugjatë dhe krizë ushqimi. Në disa pjesë të botës, kriza e eksportit të grurit nga Ukraina ka sjellë çrregullime në zinxhirin ushqimor, duke lënë pasoja tek shtetet që janë të varura nga Ukraina, dhe natyrisht dukë vënë në rrezik të urisë miliona njerëz.

Ukraina është një nga prodhuesit kryesorë të grurit në botë, kështu që bllokada ruse është një embargo ndaj shteteve që varen nga Ukraina. Sipas raporteve ndërkombëtare, që nga korriku i 2023-tës, eksportet bujqësore të Ukrainës nëpërmes Detit të Zi arritën deri në 32.9 milionë tonë. Sipas raporteve të BE-së, nëse kriza vazhdon, gjasat janë që 323 milionë njerëz në botë të përballen me urinë këtë vit.

Nga ana tjetër, në eksportin global, Ukraina është një nga prodhuesit kryesorë të grurit. Sipas Programit Botëror të Ushqimit, Ukraina kryesisht kultivon dhe eksporton grurë, misër dhe elb. Po ashtu sipas Komisionit Evropian (KE), Ukraina zë 10% të tregut botëror të grurit, 15% të tregut të misrit dhe 13% të tregut të elbit. Me më shumë se 50% të tregtisë botërore. Sipas një raporti tjetër të Departamentit amerikan të Bujqësisë, “Ukraina ishte prodhuesi i shtatë më i madh në botë i grurit në vitin 2021/22, duke shkuar në 33 milionë tonë.” Pasi ushqimi është bërë mjet lufte nga shtetet, disa vite më parë, 91 shtete anëtare të OKB-së nënshkruan një komunikatë të përbashkët të udhëhequr nga SHBA-të, duke u zotuar për t’i dhënë fund “përdorimit të ushqimit nga shtetet si armë lufte”.

Fuqitë aleate në mbështetje të Ukrainës kanë marrë disa masa që të gjejnë rrugë alternative të transportit të grurit nga Ukraina. Mungesa e grurit në tregjet botërore gjatë këtij viti do të ketë pasoja më të mëdha në 2024. Kriza e ushqimit në vendet afrikane dhe të Azisë e sidomos në shoqëritë e dala nga lufta ose ata që janë në prag të fillimit të konflikteve për arsye të burimeve, mund të sjellin fatkeqësi të reja njerëzore.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia është përpjekur që të shkaktojë dëme jo vetëm në infrastrukturën ukrainase, por në njerëz dhe në burimet e Ukrainës. Shteti rus këto veprime i ka justifikuar me arsyen që nuk qëndrojnë. SHBA, BE dhe shtetet tjera në koalicionin anti- rus, po e ndihmojnë Kievin jo vetëm ushtarakisht, ata janë të përqendruar në krizën humanitare të refugjatëve ukrainas dhe të eksportit të kulturave të drithit nga fushat e Ukrainës drejt tregjeve botërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.