Maratonistët Evgenij Pop Acev dhe Aleksandar Ilievski notuan për përfshirjen e personave me zhvillim atipik në sport

Përfshirja e personave me zhvillim atipik në sport ishte rasti i takimit të djeshëm të maratonistëve të Ohrit me pjesëmarrësit e kampit të notit në Inclusive Wellness Society, që u mbajt këtë fundjavë në Lubanishtë, në liqenin e Ohrit, organizuar nga shoqëria e sportit ITK Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Ideja është të motivohen të gjithë të rinjtë, veçanërisht ata me zhvillim atipikë, që të integrohen dhe socializohen përmes sportit. Maratonistët Evgenij Pop Acev dhe Aleksandar Ilievski i mirëpritën kampistët e rinj, u shoqëruan dhe fotografuan me ta dhe në fund u nisën drejt fillimit të Maratonës së notit të Ohrit.

Ata ia kushtuan garën mbështetjes për integrimin dhe socializimin e personave me zhvillim atipik në sport, duke motivuar kampistët të vazhdojnë notin. Evgenij Pop Acev thotë se ftesën nga ITK Maqedoni e ka pranuar me kënaqësi sepse i mundëson të shoqërohet dhe të takojë kampistë që e duan sinqerisht sportin.

“Jam njohur mirë me aktivitetet dhe vizionin për zhvillimin e sportit në mesin e njerëzve me zhvillim atipik të ITK Maqedoni dhe motivimin që ata përhapin në këto qarqe. Është e qartë se angazhimi i tyre po jep rezultate dhe interesi për sport te ky grup njerëzish po rritet dita-ditës. Shoqëria u hap gjithnjë e më shumë mundësi atyre për të gjetur vendin e tyre në komunitet. E mirëpres Kampin Gjithëpërfshirës të Notit dhe të gjitha aktivitetet tjera në të dhe uroj që kjo të bëhet traditë”, tha Evgenij Pop Acev, i cili në vitin 2015 në Maratonën e 29-të të Ohrit u bë fituesi i parë maqedonas i kësaj gare.

Aleksandar Ilievski theksoi rëndësinë e aksioneve individuale për përfshirjen në aktivitete sportive.

“Jam i lumtur kur individët investojnë përpjekje dhe kohë në aktivitete të tilla që thyejnë barrierat sociale. Të gjithë meritojnë të pranohen dhe të mund të merren me sport dhe rekreacion pa asnjë pengesë. Përshëndes të gjithë ekipin e ITK Maqedoni dhe i uroj edhe shumë ngjarje të tilla në të ardhmen”, tha Aleksandar Ilievski para fillimit të Maratonës së notit të Ohrit.

Inclusive Wellness Society është aktivitet që zhvillohet nga data 25 deri më 28 gusht 2023 në Lubanishtë. Projekti mbështetet nga Mekanizmi për Qëndrueshmëri Civile të BE-së dhe Bashkimi Evropian, ndërsa do të zbatohet nga Shoqata Sportive ITK Maqedoni.

“Këtë vit fokusi i Inclusive Wellness Society është Kampi Veror katërditor i notit me karakter gjithëpërfshirës, ​​i cili ka për qëllim integrimin dhe socializimin e njerëzve me zhvillim atipik”, thotë Martin Mojsovski nga ITK Maqedoni.

Përveç aktiviteteve sportive, shoqata sot nga ora 10:00 mban panel për sensibilizimin për përfshirjen e personave me zhvillim atipik në sport.