Blinken: Mbrojtja e civilëve në Gaza, një prej çështjeve kryesore për diskutim gjatë vizitës në Izrael

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Izraeli ka “të drejtën për të mbrojtur veten” dhe tha se mbrojtja e civilëve në Gaza do të jetë një prej çështjeve kryesore që do të diskutohen gjatë vizitës së tij në Izrael, transmeton Anadolu.

Blinken foli për gazetarët para se të largohet nga kryeqyteti Washington për vizitën e cila përfshin Izraelin, Jordaninë dhe disa vende të tjera.

Pasi njoftoi se stacioni i parë i vizitës të tij do të jetë Izraeli, Blinken tha se, “Izraeli ka jo vetëm të drejtën, por dhe përgjegjësinë për të mbrojtur veten dhe për të siguruar mos përsëritjen e sulmeve të tilla”.

Blinken theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve në veprimet e Izraelit dhe tha se, “Duam të bisedojmë edhe hapat konkretë që mund të ndërmerren për të mbrojtur më mirë civilët”.

“Një prej përparësive është edhe parandalimi i përhapjes së konfliktit Izrael-Palestinë në vendet e tjera”, tha Blinken, duke theksuar se një tjetër përparësi është edhe lirimi i pengjeve.

Ndaj pyetjes së një gazetari nëse do të ushtrohet apo jo presion mbi Izraelin për veprimet e tij në Gaza, Blinken përsëriti se Izraeli ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të mbrojtur veten.

Blinken akuzoi Hamasin për vdekjen e civilëve dhe pretendoi se Hamasi i përdor civilët si mburojë si dhe spitalet dhe xhamitë si seli.

Lidhur me çështjen e vdekjes së civilëve, Blinken u shpreh se “Kur shoh një fëmijë palestinez duke u nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese të shembur, më prek thellë, ashtu sikur ndodh kur shoh të njëjtën ngjarje në Izrael ose në një vend tjetër”.