Shkup, u hap panairi i pestë i bletarisë, do të zgjasë deri më 5 nëntor

Në sheshin “Maqedonia” në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, është hapur “Panairi i pestë i Bletarisë së Maqedonisë”, i cili do të zgjasë deri më 5 nëntor, raporton Anadolu.

Aktiviteti organizohet nga Federata e Bletarisë e Maqedonisë nën patronazh të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave. Nikoqir i ngjarjes është Qyteti i Shkupit.

Kreu i Federatës së Bletarisë së Maqedonisë, Jane Markov, në një deklaratë për Anadolu tha se qëllimi i këtij panairi është kontakti i drejtpërdrejtë mes bletarëve dhe konsumatorëve, pra me përdoruesit e mjaltës dhe produkteve të mjaltës.

“Çdo konsumator të ndiejë dhe të bëjë dallimin mes mjaltës së vërtetë dhe mjaltëve të tjera që dikush dëshiron t’i nxjerrë në këto tregje”, tha ai, duke shtuar se dallimi është se në panair ata mund të shijojnë dhe shohin mjaltën e vërtetë.

Sipas tij, mjalta në Maqedoninë e Veriut nuk përdoret vetëm si ushqim por edhe si ilaç, ndërsa ajo përdoret qoftë nga të rinjtë e qoftë nga të moshuarit.

Përveç mjaltës, Markov informoi se në panair do të ekspozohen edhe produkte të tjera të mjaltës, duke shtuar: “Ashtu siç kemi mjekun tonë amë, zakonisht duhet të kemi edhe bletarin tonë. Sepse është më mirë kur blini artikuj nga një bletërritës i njohur”.

Në panair marrin pjesë rreth 20 bletarë, ndërsa do të përfundojë të dielën.