Bislimoski: Taksa e karbonit do të ndryshojë tregtinë e energjisë elektrike

Bashkimi Evropian, nëpërmjet CBAM (Mekanizmi i Rregullimit të Kufijve të Karbonit), njofton futjen e një takse karboni mbi importet e produkteve me emetime të larta të CO₂. Kjo politikë, sipas kryetarit të Komisionit Rregullator të Energjеtikës (KRRE), Marko Bislimoski, mund të ndikojë ndjeshëm në tregtimin e energjisë elektrike dhe integrimin e tregjeve në Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

“Nëse Evropa nuk devijon nga plani për të futur taksë karboni në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, në vend të integrimit me BE-në dhe formimit të një tregu të përbashkët evropian, do të kemi tregti të energjisë elektrike ekskluzivisht midis vendeve që nuk janë anëtare të BE-së”, theksoi Bislimoski në forumin “Qendra për Politikat e Energjisë të Ballkanit Perëndimor” në Prishtinë.

Çmimi përfundimtar i energjisë elektrike në tregun e hapur, sipas Bislimoski, nuk do të jetë konkurrues, sepse kostoja do të rritet për shkak të taksës së karbonit.

“Ne mund të miratojmë legjislacionin më të mirë, por zbatimi dhe rezultatet në praktikë janë thelbësore”, theksoi ai. Vendet e Komunitetit të Energjisë po zbatojnë reforma: bursat e energjisë elektrike po funksionojnë, kapacitetet ndërkufitare po forcohen dhe bashkimi i tregjeve po tërheq investime të reja.

Edhe pse Ballkani Perëndimor ka potencial të fortë për energjinë diellore dhe të erës, prodhimi i qymyrit mbetet dominues në sigurimin e energjisë bazë – thelbësore për stabilitetin e sistemit.

“Zbatimi i taksës së karbonit do të bllokojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Nuk ka asnjë mënyrë që një pronar i kapacitetit të prodhimit të eksportojë jashtë BE-së dhe ne do të mbetemi të bllokuar në korniza rajonale”, paralajmëroi Bislimoski.

Bislimoski theksoi se përfitimet e reformave duhet të ndihen nga qytetarët dhe Evropa duhet të ofrojë mbështetje përmes subvencioneve.

“Ne jetojmë në një mjedis me ajër jashtëzakonisht të ndotur dhe shpenzojmë shumë për kujdesin shëndetësor. Reformat e energjisë duhet të sjellin përmirësime të matshme për mjedisin”, shton ai. Një rishikim i plotë i ndihmës financiare për konsumatorët e cenueshëm dhe një rimodelim i kushteve për fotovoltaikët e familjeve janë të nevojshme për të forcuar besimin në reforma.