Biden nis turin evropian

Presidenti amerikan, Joe Biden nis turin e tij në Europë. Një vizitë e  dominuar nga lufta në Ukrainë, me anëtarësimin në aleancën ushtarake të NATO-s dhe vendimi  për të dërguar bomba  thërrmuese në Ukrainë të cilin administrate e tij e sheh si kyce për luftën do të jenë në qendër të agjendës, raporton Klan.

Këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se udhëtimi do të tregojë lidershipin e presidentit në skenën botërore. Pas mbërritjes në Londër, Biden do të takohet me Mbretin Charles III për herë të parë që kur u kurorëzua dhe me kryeministrin britanik Rishi Sunak. Ata pritet të diskutojnë ndryshimin e klimës, një çështje që ka qenë në qendër të të diskutimeve dhe si të financohen iniciativat për të adresuar problemin.

Udhëtimi gjithashtu përkon me samitin e NATO-s në Vilnius, Lituani që do të mbahet në data 11 dhe 12 korrik. Biden do të kalojë dy ditë në kryeqytetin e Lituanisë dhe do të marrë pjesë në takime me liderët dhe do të mbajë një fjalim nga Universiteti i Vilnius. Mediat shkruajnë se presidenti amerikan do të përballet me pyetje nga aleatët se pse SHBA do të dërgonte bomba thërmuese, të cilën më shumë se dy të tretat e anëtarëve të NATO-s e kanë ndaluar, sepse mund të çojë në vdekjen e shumë civilëve.

Për Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, samiti “do të dërgojë një mesazh të qartë: “NATO qëndron e bashkuar”. Pas dy netësh në Vilnius, Biden viziton Helsinkin i cili u bë anëtari i 31-të në aleancën ushtarake duke i dhënë fund historisë së tij të mosangazhimit. Finlanda duhej të bashkohej së bashku me fqinjin e saj Suedinë, por pranimi i Stokholmit ka ngecur për shkak të Turqisë dhe Hungarisë. NATO kërkon pëlqimin unanim të të gjithë anëtarëve të saj për t’u zgjeruar.