Besnik Xhemaili u zgjodh zëvendëskryetar i Antikorrupsionit

Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, detyrë të cilën do ta ushtrojë për gjashtë muaj, transmeton Portalb.mk.

Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është bërë sipas parimit të rotacionit, ndërsa renditja është përcaktuar sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së.

Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti.

Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Adem Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të cilët janë zgjedhur, emëruar ose u ka përfunduar mandati në prill, por që nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të dorëzuar deklaratën për gjendjen pasurore dhe konfliktin e interesit brenda afatit ligjor.

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot kanë marrë vendime për 51 lëndë.