Paraburgim për dy policë të Maqedonisë së Veriut për marrje të ryshfetit deri 70 euro në pikë kufitare

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj dy punonjësve të Policisë së Maqedonisë së Veriut në lidhje me marrjen e ryshfetit gjatë kryerjes së shërbimeve, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal ndaj punonjësve të policisë, A.V. dhe N.S., të punësuar në Stacionin Policor për kalim kufitar Qafë Thanë”, raportoi Policia, duke theksuar që i pari dyshohet për marrje ryshfeti, ndërsa i dyti për kryerjen e punës në mënyrë të pakujdesshme.

Veprat e tyre janë të dënueshme në bazë të Kodit Penal, konkretisht në bazë të nenit 357, paragrafi 1 dhe neni 353-v, paragrafi 1. Ata janë arrestuar dhe tani gjenden në 30 ditë paraburgim.

“I dyshuari i parë, më 13 maj në pikën kufitare nga shoferi i autobusit me targa të Malit të Zi, që nuk kishte karton të gjelbër të vlefshëm, ka marrë ryshfet 70 euro, ndërsa i dyshuari i dytë e ka lëshuar autobusin të futet në Maqedoninë e Veriut, pa karton të gjelbër të vlefshëm”, sqaroi Policia.